Vuçiqi për marrëveshjen KS-AL-HR: E kemi kuptuar mesazhin e tyre – ne do të mbrohemi

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq deklaroi në Bruksel se nënshkrimi i një memorandumi ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes paraqet shkelje të një marrëveshjeje nënrajonale dhe shtoi se është pothuajse i sigurt se NATO-ja nuk ishte e informuar për këtë. Vuçiqi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari pas takimit

Vuçiqi për marrëveshjen KS-AL-HR: E kemi kuptuar mesazhin e tyre – ne do të mbrohemi

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq deklaroi në Bruksel se nënshkrimi i një memorandumi ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes paraqet shkelje të një marrëveshjeje nënrajonale dhe shtoi se është pothuajse i sigurt se NATO-ja nuk ishte e informuar për këtë.

Vuçiqi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi se kjo ishte një nga temat e bisedës që ai ngriti.

“Kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996, por ne kemi parë nga reagimet e Kroacisë dhe disa pjesëve të tjera të rajonit se ata nuk janë shumë të interesuar për të. Jam pothuajse i bindur se NATO-ja as që ishte e informuar dhe se as që u është thënë se cilat marrëveshje janë shkelur”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se nuk mendon se për këtë do të shqetësohen Prishtina, Zagrebi apo Tirana.

“Na takon neve, për më tepër, t’i theksojmë zotit Rutte dhe njerëzve në NATO dhe gjithë të tjerëve se kjo është një shkelje e asaj që është pranuar, nënshkruar dhe respektuar që nga viti 1996. Na takon neve të kuptojmë realitetin dhe të përgatitemi për të ardhmen në përputhje me rrethanat”, u shpreh më tej presidenti serb.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar Deklaratën për Forcimin e Bashkëpunimit Mbrojtës, ndërsa Serbia tha se do të kërkojë një shpjegim urgjent nga Ministritë e Jashtme të Kroacisë dhe Shqipërisë në lidhje me dokumentin e nënshkruar.

Deklarata, e cila thuhet se kontribuon në sigurinë e Evropës Juglindore, është nënshkruar dje në Tiranë, nga ministrat e mbrojtjes të tre vendeve: Ejup Maqedonci, Pirro Vengu dhe Ivan Anushiq.

“Ata kanë hapur një garë armatimesh në rajonin tonë, është një situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do të mbrohemi me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, tha Vuçiqi.

Ai pohoi se me Rutten ka diskutuar për të gjitha çështjet e rëndësishme, bashkëpunimin, situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet mes Ushtrisë Serbe dhe KFOR-it, si dhe situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.

Vuçiqi vlerësoi se sot ishte “një ditë e suksesshme për Serbinë”. /Klankosova.tv