Zhurnal: VLEN po i jep fund një padrejtësie shumëvjeçare në administratën publike

Të gjithë personat që janë duke punuar ende me kontrata të përkohshme pune në të ardhmen do të marrin kontrata të përhershme. Një vendim shumë domethënës që është shtyrë nga VLEN dhe që është për të marrë lëvdata. Me këtë veprim, mbyllet njëherë e përgjithmonë një brengë e punëtorëve të cilët vazhdimisht ishin keqpërdorur nga partitë politike. VLEN-i me këtë vendim ka dalë përtej interesave partiake dhe ka parë këtë problem human dhe njerëzor dhe ka zgjidhur një plagë të kamotshme për administratën shtetërore, shkruan “Zhurnal.mk”.
Propozim-ligj për kalim nga kontrata në vepër në punësim të përhershëm
Propozim-ligj synon transformimin e angazhimeve të përkohshme në marrëdhënie të rregullta pune për mijëra persona të angazhuar në institucionet publike, me qëllim që t’u sigurohet status më i qëndrueshëm i punës dhe siguri më e madhe ekonomike familjeve të tyre. Iniciativa synon të zgjidhë një problem të trashëguar ndër vite, ku punonjës të shumtë kanë kryer detyrat e tyre në institucione, por kanë vazhduar të punojnë me kontrata të përkohshme dhe pa siguri të qëndrueshme për statusin e tyre.
Propozimi ligjor parasheh kalimin në marrëdhënie pune me afat të pacaktuar për personat që i plotësojnë kushtet ligjore, në institucionet publike që përfshihen nga kjo zgjidhje. Sipas përmbajtjes së propozimit, iniciativa përfshin kategori të ndryshme të angazhimit, si kontratat me afat të caktuar, kontratat në vepër, kontratat autoriale, angazhimet përmes agjencive dhe forma të tjera kontraktuale për kryerjen e punës.
” ”
Pasi ligji të hyn në fuqi, institucionet do të kenë një afat prej 90 ditësh për lidhjen e kontratave përkatëse ose nxjerrjen e vendimeve për punësim.
Punësimi nuk duhet të shërbejë si mjet për ndikim politik
Partia shqiptare në pushtet, VLEN kësaj radhe ka dalë përtej interesave të ngushta partiake dhe qartë ka theksuar se qëllimi i kësaj iniciative është që punonjësit të mos mbeten pa siguri gjatë periudhës së kalimit në një status të ri të punës.
Punësimi nuk duhet të shërbejë si mjet për ndikim politik, ndërsa të drejtat e punonjësve duhet të përcaktohen nga ligji dhe kushtet e punës. Me këtë veprim, mbyllet praktikat e së kaluarës, duke pretenduar se pasiguria e punonjësve me kontrata të përkohshme është përdorur për interesa politike. Synohet që të mos lejohet vazhdimi i një praktike të tillë dhe të garantohet trajtim i barabartë për punonjësit.
Angazhimi për zgjidhjen e statusit të punonjësve nuk kufizohet vetëm te kjo iniciativë, por partia shqiptare në pushtet VLEN ka theksuar se po bën përpjekje për zgjidhjen e çështjeve të punësimit në institucionet shëndetësore.
Ligji i ri synon të përfshijë kontratat që janë aktualisht aktive, pasi pjesa më e madhe e tyre përfundojnë tradicionalisht në fund të vitit.
Ky proces vlerësohet si një hap i domosdoshëm për depolitizimin e administratës, rritjen e dinjitetit të nëpunësve dhe krijimin e një sistemi ku paga nuk është shpërblim për bindje politike, shkruan “Zhurnal.mk”.
Partitë i shfrytëzonin punësimet si presion për vota
Punësimi me kontratë në vepër në administratën publike të Maqedonisë së Veriut ka qenë historikisht një nga mjetet kryesore të keqpërdorimit për vota dhe presion politik. Ky problem i trashëguar ndër vite ka shërbyer si formë shantazhi, duke i mbajtur punonjësit e përkohshëm të varur nga vullneti i partive në pushtet.
Për të siguruar vazhdimin e kontratës, nga punonjësit shpesh është kërkuar të sigurojnë një numër të caktuar votash për partinë ose të marrin pjesë aktivisht në fushata, ndërkaq mosbindja politike ose ndryshimi i pushtetit ka rezultuar rregullisht në largime masive nga puna në përfundim të afatit të kontratave.
Para zgjedhjeve, nga këta punonjës shpesh kërkohet të dorëzojnë listat në shtabet partiake me emra, mbiemra, numra telefoni dhe numra të letërnjoftimeve të personave që ata premtojnë se do të votojnë për subjektin politik.
Gjithashtu, punonjësit me kontratë në vepër përdoren si “dekor” për të treguar masivitet në fushatat zgjedhore. Ata detyrohen të marrin pjesë në tubime politike, shpesh edhe duke udhëtuar me autobusë nga qytetet e tjera.
Rreth 90% e kontratave në vepër përfundojnë tradicionalisht në fund të vitit. Kjo periudhë përdoret politikisht si mjet presioni. Nëse zgjedhjet janë afër, kontratat mbahen pezull për t’i mbajtur punonjësit në ankth dhe për t’i detyruar të binden politikisht me shpresën e vazhdimit të tyre.
Ekziston një praktikë e njohur ku partitë politike bëjnë punësime masive me kontrata afatshkurtra pak para zgjedhjeve për të siguruar fitoren, dhe sapo kalon procesi zgjedhor, qindra punonjës largohen nga puna me arsyetimin se “kontrata ka skaduar”.
Këta punonjës detyrohen të ndjekin profilet zyrtare të zyrtarëve partiakë, të shpërndajnë (share) postimet e tyre dhe të bëjnë komente pozitive. Çdo mungesë aktiviteti apo reagim kritik në rrjetet sociale monitorohet nga shtabet dhe mund të jetë shkak për mosvazhdimin e kontratës.
Veprim për t’u vlerësuar dhe në frymën e depolitizimit të administratës
Në raportet e progresit për Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Evropian (BE) dhe organizatat e tjera ndërkombëtare kanë kërkuar vazhdimisht depolitizimin, profesionalizimin dhe rritjen e meritokracisë në administratën publike. BE-ja ka kritikuar vazhdimisht përdorimin e kontratave të përkohshme si mjet për ushtrimin e presionit politik dhe shantazhit ndaj punëtorëve. Dhënia e kontratave të përhershme rrit sigurinë e punonjësve dhe u jep atyre pavarësi nga vullneti i partive politike në pushtet. Sipas standardeve evropiane të punës (kriteret e kapitujve socialë të BE-së), kontratat në vepër nuk duhet të përdoren për pozicione të rregullta pune afatgjata. BE-ja kërkon që personat që kryejnë punë të rregullta institucionale të gëzojnë të drejta të plota sociale, përfshirë sigurimin shëndetësor dhe pensional, gjë që ky propozim-ligj synon ta realizojë.
Komisioni Evropian insiston që çdo punësim në administratë duhet të bëhet përmes proceseve transparente, konkurseve të hapura dhe bazuar në merita e kualifikime, e jo përmes ligjeve ad-hoc që automatikisht legalizojnë statusin e personave që tashmë gjenden brenda sistemit.
Nëse ky ligj i propozuar nga VLEN arrin të filtrojë vetëm ata njerëz që plotësojnë kushtet ligjore dhe kualifikimet profesionale, siç edhe premtohet, ai shihet si një reformë e madhe pozitive dhe humane.
Për VLEN-in, ky propozim-ligj shërben si një provë e fortë se po adresojnë një problem jetik për mijëra familje që kanë vuajtur nga pasiguria. Nëse ligji kalon me sukses, ky mund të jetë një triumf i madh për të drejtat e punëtorëve shqiptarë dhe si një nga premtimet e mbajtura.
Duke e transformuar këtë formë punësimi në të përhershme, shkatërrohet mekanizmi i vjetër që opozita aktuale e ka përdorur për vite me radhë për të mbajtur nën presion dhe kontroll votuesit përmes kontratave të përkohshme.
Andaj, nëse procesi udhëhiqet me transparencë të plotë, ku secili punonjës i përhershëm e merr vendimin mbi kritere meritokratike dhe profesionale, siç kërkohet nga ligji për nëpunësit administrativë, ky do të mbetet një nga vlerësimet më pozitive dhe reformat më të rëndësishme të mandatit të VLEN-it dhe kësaj qeverie. Në të kundërt, nëse procesi manipulohet partiakisht, do të vuloset si thjesht një vazhdimësi e të njëjtave skema të vjetra të keqpërdorimit të administratës, shkruan “Zhurnal.mk”.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



