KE publikon më 4 nëntor raportin për Kosovën, priten kritika për krizën politike dhe drejtësinë

KE publikon më 4 nëntor raportin për Kosovën, priten kritika për krizën politike dhe drejtësinë

Komisioni Evropian pritet të miratojë dhe publikojë më 4 nëntor raportet vjetore të progresit për vendet kandidate, si dhe Pakon e Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Kriza e vazhdueshme politike, vështirësitë në funksionimin e institucioneve dhe mungesa e përparimit në dialogun me Serbinë pritet të jenë ndër çështjet kryesore të evidentuara në Raportin e Progresit për Kosovën.

Sipas raportimeve të mediave në Prishtinë, të cilat kanë pasur qasje në projekt-dokumentin e raportit, Komisioni Evropian vlerëson se përplasjet politike dhe mungesa e një legjislativi funksional kanë penguar punën e qeverisë.

Shqetësime të veçanta pritet të ngrihen edhe për ndikimin e politikës dhe grupeve të interesit në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

Kosova pritet të renditet sërish ndër vendet e rajonit që nuk kanë shënuar përparim të mjaftueshëm në reformat që lidhen me integrimin evropian. Sipas raportimeve, vlerësime të ngjashme pritet të ketë edhe për Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Megjithatë, raporti pritet të përmbajë edhe një vlerësim pozitiv për Kosovën. Për herë të parë, dokumenti për vendin përfshin edhe Kapitullin 31, që mbulon politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Në këtë pjesë pritet të vlerësohet përafrimi i Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, mungesa e përparimit në dialogun Kosovë–Serbi shihet si një pengesë jo vetëm për perspektivën evropiane të të dyja vendeve, por edhe si një faktor që mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.