Zvicër: Shembja e dheut shkatërron një pjesë të fshatit Blatten
Një ortek i fuqishëm akulli, dheu dhe mbeturinash ka goditur mëngjesin e sotëm fshatin Blatten në luginën Lötschental të kantonit Valais në Zvicër, duke shkatërruar një pjesë të madhe të tij. Sipas autoriteteve lokale, sasia e rrëshqitur ishte më e madhja e regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i monitorimeve në këtë zone, shkruan SRF, transmeton […] The post Zvicër: Shembja e dheut shkatërron një pjesë të fshatit Blatten appeared first on Albinfo.

Një ortek i fuqishëm akulli, dheu dhe mbeturinash ka goditur mëngjesin e sotëm fshatin Blatten në luginën Lötschental të kantonit Valais në Zvicër, duke shkatërruar një pjesë të madhe të tij. Sipas autoriteteve lokale, sasia e rrëshqitur ishte më e madhja e regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i monitorimeve në këtë zone, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.
Ngjarja ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit, kur një masë gjigante e akullnajës Birch u shkëput dhe u rrokullis në luginë, duke përfshirë pemë, gurë dhe baltë. Edhe pse orteku ishte paralajmëruar nga autoritetet ditë më parë, përmasat e ngjarjes i kaluan pritshmëritë.
Sipas njoftimeve të para nga Komanda Rajonale dhe nga gazetarët në terren, shumë shtëpi janë shkatërruar, por për fat të mirë nuk raportohet për të lënduar. Autoritetet kishin ndërmarrë evakuime paraprake, duke shmangur një tragjedi më të madhe.
“Basenet anësore të digës mbrojtëse janë tashmë të mbushura dhe ekziston rreziku që mbeturinat të vazhdojnë të rrëshqasin drejt lumit Lonza,” deklaroi Fernando Lehner nga Komanda Rajonale. Ai shtoi se kjo ishte një ngjarje e parashikuar, ndaj banorët u evakuuan me kohë.
Këshilli i Shtetit i Valais ka shpallur një “situatë të veçantë” për të mundësuar një reagim më të shpejtë dhe mobilizim të burimeve shtesë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos hyjnë në zonën e prekur dhe t’u përmbahen udhëzimeve zyrtare.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë rrëshqitje masive dhe bubullima të fuqishme që dëgjoheshin në luginë. Sipas raportimeve të SRF-së, energjia elektrike u ndërpre për pak sekonda para shembjes, ndërsa një re gjigante pluhuri dhe mbeturinash mbuloi zonën, transmeton albinfo.ch.
Dy ekskavatorë janë vendosur në gatishmëri, por përdorimi i tyre në kushtet aktuale do të ishte tepër i rrezikshëm. Prandaj, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të mjeteve me telekomandë për të menaxhuar situatën në terren.
Në një njoftim të dërguar përmes aplikacionit të komunitetit, autoritetet lokale konfirmuan se “e paimagjinueshmja ka ndodhur” dhe se një pjesë e konsiderueshme e fshatit është goditur.
Shtabi i Komandës së Lötschental ka njoftuar një konferencë për media në orën 19:00, ku pritet të jepen të dhëna të detajuara për dëmet, gjendjen aktuale dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për përballimin e krizës, transmeton albinfo.ch.
The post Zvicër: Shembja e dheut shkatërron një pjesë të fshatit Blatten appeared first on Albinfo.