Zvicra vendos për neutralitetin: Votimi që mund të ndryshojë politikën e saj të jashtme

Qytetarët zviceranë do të votojnë të dielën, më 27 shtator 2026, për një çështje që prek drejtpërdrejt një nga shtyllat historike të politikës së jashtme të vendit – neutralitetin. Në votim është iniciativa popullore “Ruajtja e neutralitetit zviceran”, e njohur si “Iniciativa e Neutralitetit”.
Neutraliteti i Zvicrës është i sanksionuar në Kushtetutën Federale që nga viti 1848 dhe njihet ndërkombëtarisht. Megjithatë, iniciativa kërkon që në Kushtetutë të përcaktohet në mënyrë më të detajuar se neutraliteti i vendit është i përhershëm dhe i armatosur, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Nëse iniciativa miratohet, Zvicra nuk do të mund të anëtarësohet në një aleancë ushtarake apo mbrojtëse dhe as të bashkëpunojë me një aleancë të tillë, përveç në rast se vendi sulmohet ushtarakisht ose një sulm ndaj tij është në përgatitje.
Një nga pikat më të rëndësishme lidhet me sanksionet ndërkombëtare. Iniciativa kërkon që Zvicra të mos vendosë sanksione ndaj shteteve që janë palë në një konflikt ushtarak. Përjashtim do të bënin sanksionet e vendosura nga Kombet e Bashkuara dhe masat për të parandaluar shmangien e sanksioneve.
Kjo do të ndryshonte praktikën aktuale, sipas së cilës Zvicra mund të miratojë sanksione të vendosura nga partnerë të tjerë. Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, për shembull, Zvicra miratoi në masë të madhe sanksionet e Bashkimit Evropian.
Këshilli Federal dhe Parlamenti e kundërshtojnë iniciativën. Sipas tyre, sistemi aktual i jep Zvicrës fleksibilitetin e nevojshëm për të mbrojtur sigurinë, pavarësinë dhe interesat e saj, ndërsa kufizimet e propozuara do ta zvogëlonin këtë hapësirë veprimi.
Komiteti i iniciativës, nga ana tjetër, argumenton se përcaktimi më i rreptë kushtetues do të siguronte që neutraliteti zviceran të ruhej në mënyrë të qëndrueshme dhe të mos interpretohej ndryshe nën presionin e zhvillimeve ndërkombëtare.
Votimi i 27 shtatorit nuk vendos nëse Zvicra do të vazhdojë të jetë neutrale, por se si neutraliteti i saj duhet të zbatohet në të ardhmen – sipas praktikës aktuale më fleksibile apo sipas rregullave më të rrepta të propozuara nga iniciativa.
The post Zvicra vendos për neutralitetin: Votimi që mund të ndryshojë politikën e saj të jashtme appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



