Zvicra një hap më afër rikthimit në Erasmus+, mbështetet financimi prej 193 milionë frangash

Zvicra një hap më afër rikthimit në Erasmus+, mbështetet financimi prej 193 milionë frangash

Zvicra ka bërë një hap tjetër drejt rikthimit në programin evropian Erasmus+, pasi Komisioni për Politikë të Jashtme i Këshillit Kombëtar ka mbështetur financimin e pjesëmarrjes së vendit në këtë program për vitin 2027, përcjell albinfo.ch.

Sipas komunikatës zyrtare të Parlamentit zviceran, të publikuar më 6 nëntor, komisioni ka rekomanduar miratimin e financimit me 16 vota pro dhe nëntë kundër, pa ndryshime në propozimin e paraqitur.

Për pjesëmarrjen e Zvicrës në Erasmus+ është paraparë një financim prej rreth 193 milionë frangash. Këshilli i Shteteve e ka miratuar tashmë këtë kredi, ndërsa tani pritet shqyrtimi dhe vendimi i Këshillit Kombëtar.

Programi Erasmus+ mundëson shkëmbime ndërkombëtare për studentët, të rinjtë dhe institucionet arsimore, duke nxitur bashkëpunimin në fushat e arsimit, trajnimit dhe sportit.

Në kuadër të shqyrtimit të paketës së marrëveshjeve ndërmjet Zvicrës dhe Bashkimit Evropian, komisioni ka trajtuar edhe çështjen e tarifave universitare për studentët e huaj. Sipas marrëveshjes së negociuar, studentët nga vendet e BE-së do të paguajnë tarifa të njëjta me studentët zviceranë.

Komisioni ka mbështetur gjithashtu dispozitat për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar ndërmjet Zvicrës dhe Bashkimit Evropian.

Shqyrtimi i paketës së marrëveshjeve ende nuk ka përfunduar. Komisioni pritet t’i vazhdojë diskutimet nga 16 deri më 18 nëntor, kur do të trajtojë edhe çështje të tjera që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet Zvicrës dhe BE-së.

Mbështetja e komisionit për financimin e Erasmus+ përbën një hap të rëndësishëm në procesin parlamentar, por vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen e Zvicrës në program mbetet ende për t’u marrë.

 

The post Zvicra një hap më afër rikthimit në Erasmus+, mbështetet financimi prej 193 milionë frangash appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.