Alarmante/ Mbi 300 qytetarë u sulmuan vjet nga qentë endacak në Kosovë, shumica prej tyre në Prishtinë

Rreziku nga kafshimi prej qenve endacak është bërë shqetësues për qytetarët në Komuna të ndryshme të Kosovës, sidomos për ata që jetojnë në rajonin e Prishtinës, të cilët ndeshen çdo ditë me ta në rrugët e qytetit dhe fshatrave dhe pranë banesave apo shtëpive të tyre. Nga Policia e Kosovës kanë prezantuar për Front Online

Alarmante/ Mbi 300 qytetarë u sulmuan vjet nga qentë endacak në Kosovë, shumica prej tyre në Prishtinë

Rreziku nga kafshimi prej qenve endacak është bërë shqetësues për qytetarët në Komuna të ndryshme të Kosovës, sidomos për ata që jetojnë në rajonin e Prishtinës, të cilët ndeshen çdo ditë me ta në rrugët e qytetit dhe fshatrave dhe pranë banesave apo shtëpive të tyre.

Nga Policia e Kosovës kanë prezantuar për Front Online të dhëna alarmante në lidhje me rastet e sulmeve ndaj qytetarëve nga qentë endacak, ndonëse vlerësohet se ka shumë raste të tjera që nuk paraqiten në institucionet kompetente.

Sipas statistikave të Policisë, vitin e kaluar hiç më pak se 316 qytetarë të Kosovës janë sulmuar nga qentë endacak, prej të cilëve 234 raste janë evidentuar veç në rajonin e Prishtinës, përkatësisht në Prishtinë, Podujevë dhe Fushë-Kosovë.

Ndërsa në fillim të këtij viti nga 30 qytetarë të Kosovës të sulmuar nga qentë endacak, 24 raste janë në rajonin e Prishtinës, raporton Front Online.

Përkundër tentimeve të Komunës së Prishtinës për zgjidhje, rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me qen.

Kryetari i Prishtinës në qershor të 2023, mori vendim që të subvencionohen me nga 50 euro në muaj të gjithë qytetarët që do të adoptojnë qentë endacakë në kryeqytet. Qytetarët mund të adoptonin deri në 5 qen.

Një vendim i tillë nuk pati sukses, pasi që nuk u pakësua rreziku nga qentë endacakë.

Brestovci: Në Komunën e Prishtinës janë adoptuar 700 qen, rreth 100 mijë euro janë paguar

Lidhur me problemin e qenve endacak për “Front Online” ka folur drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci.

Ai bëri të ditur se që nga hyrja në fuqi e vendimit për subvencionimin e adoptimit të qenve endacak deri tani janë adoptuar mbi 700 qen.

“Që nga nëntori 2023 deri më tani janë adoptuar mbi 700 qen endacak”, tha Brestovci.

Tutje, Brestovci njoftoi se janë proceduar për pagesë 96.350 euro në bazë të vendimit që ishte nga 50 euro në muaj.

“Pagesa për një qen endacak në bazë të vendimit është 50€ në muaj dhe varësisht nga koha e adoptimit, deri në fund të vitit janë proceduar për pagesë 96,350.00 euro”, deklaroi ai për FrontOnline.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka shprehur shqetësimin për rritjen e numrit të qenve endacakë, të cilët kanë migruar në kryeqytet nga qytetet tjera dhe janë braktisur nga pronarët.

“Komuna e Prishtinës ballafaqohet me problemin e numrit të madh të qenve endacak, për shkak të migrimit të tyre edhe nga qytetet tjera, braktisjes së qeneve nga pronarët, pasi që këtu mund të gjejnë hapësirë më të madhe për jetesë dhe ushqim, por pavarësisht nga kjo, në vazhdimësi e kryhet trajtimi i kafshëve (qenëve) endacake sipas ligjit dhe udhëzimeve administrative në fuqi, në të cilën janë përfshirë pozicionet për trajtimin e tyre”.

Në kuadër të masave emergjente, kryetari i Komunës ka shpallur gjendjen emergjente dhe ka formuar Task Forcën për trajtimin e këtij problemi, duke kërkuar edhe angazhimin e institucioneve qendrore, thotë Brestovci.

“Problemi me qentë endacak është shumë shqetësues për Komunën e Prishtinës, Kryetari i Komunës me vendim të veçantë ka shpallur gjendjen emergjente dhe ka formuar Task Force për trajtimin e këtij problemi dhe të marrë masat e mundshme dhe të lejuara me aktet ligjore në fuqi, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim të zvogëlimit të këtij problem”./FrontOnline/