Expo Arbëria zhvillohet në Spezzano Albanese, në fokus trashëgimia arbëreshe

Expo Arbëria zhvillohet në Spezzano Albanese, në fokus trashëgimia arbëreshe

Në Spezzano Albanese të Kalabrisë është zhvilluar edicioni i dytë i “Expo Arbëria”, manifestim kushtuar trashëgimisë dhe kulturës së komuniteteve arbëreshe. Aktiviteti u mbajt nga 18 deri më 20 shtator 2026, transmeton albinfo.ch.

Programi përfshiu aktivitete dhe diskutime mbi historinë dhe të ardhmen e komuniteteve arbëreshe, me fokus të veçantë në ruajtjen e gjuhës dhe traditave, si dhe aktivitete kulturore e artistike.

Në kuadër të manifestimit u zhvillua edhe Konkursi Ndërkombëtar i Pikturës “Luigi Amato”, në të cilin u prezantuan rreth 50 vepra të realizuara nga artistë nga vende të ndryshme të Evropës, me temë figurën e Skënderbeut. Veprat do të ekspozohen për një vit në Pallatin Luci të Spezzano Albanese.

Një nga aktivitetet kryesore ishte “Parada e Krenarisë Arbëreshe”, e zhvilluar më 19 shtator në rrugët e qendrës historike të qytetit. Në të morën pjesë përfaqësues të komuniteteve arbëreshe, kryetarë bashkish, grupe dhe shoqata, artistë, intelektualë dhe qytetarë.

Sipas organizatorëve, në paradë morën pjesë edhe përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si dhe përfaqësues të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon (UBSHR).

Programi përfshiu gjithashtu koncerte në qendrën historike të Spezzano Albanese, stenda me produkte të prodhuesve arbëreshë nga zona të ndryshme të Italisë dhe aktivitete gastronomike.

Manifestimi u organizua nga Albania Consulting – Calimà Servizi, me financim nga Rajoni i Kalabrisë dhe me patronazhin e Bashkisë së Spezzano Albanese. Në organizim dhe mbështetje morën pjesë gjithashtu Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë.

Aktiviteti u financua nga Rajoni i Kalabrisë përmes burimeve POC 2014/2020 – Veprimi 6.8.3, në kuadër të thirrjes publike për mbështetjen dhe promovimin turistik e kulturor./Albinfo.ch

The post Expo Arbëria zhvillohet në Spezzano Albanese, në fokus trashëgimia arbëreshe appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.