Biletat e avionëve pritet të shtrenjtohen ndjeshëm gjatë vitit 2027

Udhëtarët nga Zvicra pritet të përballen me çmime dukshëm më të larta të biletave të avionëve gjatë vitit të ardhshëm, pasi kompania ajrore Ryanair ka paralajmëruar rritje dyshifrore të tarifave në të gjithë Evropën.
Drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, ka paralajmëruar se çmimet e biletave të fluturimeve do të rriten ndjeshëm gjatë vitit 2027, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të karburantit të avionëve.
Sipas tij, rritja e kostove të karburantit lidhet me konfliktin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, ndërsa çmimet pritet të mbeten të larta edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Një faktor tjetër që mund të ndikojë në shtrenjtimin e biletave është fakti se Ryanair ka siguruar paraprakisht çmimin e karburantit për vetëm një të katërtën e nevojave të saj për vitin 2027. Kjo do të thotë se kompania do të jetë më e ekspozuar ndaj luhatjeve dhe çmimeve aktuale të tregut.
Analistët e industrisë së aviacionit parashikojnë se rritja e çmimeve nuk do të kufizohet vetëm te Ryanair. Edhe kompanitë e tjera ajrore mund të detyrohen të rrisin tarifat, pasi marrëveshjet ekzistuese për furnizimin me karburant me çmime të paracaktuara të përfundojnë gjatë muajve të ardhshëm.
Kjo situatë pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe te udhëtarët që fluturojnë nga aeroporti i Gjenevës, të cilët mund të përballen me shpenzime më të larta për udhëtimet e tyre gjatë vitit 2027.
Paralajmërimet vijnë në një kohë kur industria evropiane e aviacionit vazhdon të përballet me pasiguri lidhur me kostot operative dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
The post Biletat e avionëve pritet të shtrenjtohen ndjeshëm gjatë vitit 2027 appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



