Çfarë duhet të dini rreth ndryshimeve në provimet e drejtimit të automjeteve në Zvicër në vitin 2027

Kushdo që përpiqet të marrë një patentë shoferi zvicerane në vitin 2027 do të duhet të përmbushë kërkesat e rishikuara, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 janar.
Procesi për marrjen e patentës së shoferit “do të riorganizohet dhe digjtalizohet”, njoftoi Shoqata e Autoriteteve të Trafikut Rrugor (ASA).
Kërkesat e reja u drejtohen aplikantëve për leje drejtimi provizore (leje për nxënës) në kategoritë B, A1 ose A, të cilat përfshijnë veturat e pasagjerëve, si dhe të gjitha llojet e motoçikletave.
Rishikimi do të përfshijë riorganizimin e renditjes së fazave të testimit dhe digjitalizimin e procedurave.
Konkretisht, kursi teorik mbi trafikun tani duhet të ndiqet para provimit teorik bazë, dhe jo pasi dikush të ketë marrë lejen provizore, siç ndodh aktualisht.
Vetë testimi do të përbëhet nga 55 pyetje në vend të 50 që janë aktualisht. Gjithashtu, numri maksimal i gabimeve të lejuara do të rritet në 17, nga 15 që është tani.
Sa i përket digjitalizimit të proceseve të ndryshme, dëshmia e përfundimit me sukses të kurseve të detyrueshme të ndihmës së parë dhe e testeve të shikimit nuk do të lëshohet më në letër, por do të regjistrohet në bazën e re të të dhënave elektronike.
Për të identifikuar dokumentet e dorëzuara në mënyrë elektronike, do të përdoret një kod PIN FABER. Ky kod personal, i cili lëshohet pasi aplikimi për leje provizore të dorëzohet pranë autoritetit kantonal të automjeteve, do të mundësojë lidhjen e çdo dokumenti mbështetës me aplikimin.
Leja për t’iu nënshtruar testit teorik do të jepet pasi të jenë regjistruar tre dokumentet e kërkuara: kursi i ndihmës së parë, testi i shikimit dhe kursi teorik mbi trafikun.
A do të zbatohen këto rregulla të reja në të gjithë Zvicrën?
Po.
Është e vërtetë se kantonet janë përgjegjëse për administrimin e testeve dhe lëshimin e patentave të shoferit.
Megjithatë, përmbajtja e provimeve është e standardizuar në nivel federal, kështu që ato janë të njëjta kudo që të jetoni në Zvicër.
Çfarë tjetër mund të ndryshojë në të ardhmen?
Ky dispozicion specifik nuk është pjesë e rishikimeve ligjore që do të hyjnë në fuqi në janar, por në të ardhmen, kandidatëve për shoferë mund të mos u lejohet më të mësojnë drejtimin e mjetit me një automjet privat, raporton thelocal. Kjo për shkak se makinat më të reja mund të mos përfshijnë të gjitha pajisjet e nevojshme për mësimet, transmeton albinfo.ch.
Një shembull i tillë është zëvendësimi i një freni dore manual, një veçori e detyrueshme për mësimet e drejtimit të automjetit, me një buton elektronik.
Testet standarde në Zvicër ende kryhen në makina të pajisura me teknologji “të vjetra”, prandaj të mësuarit për të drejtuar një automjet me sisteme plotësisht të automatizuara mund të ketë efekt të kundërt.
Ky është një vend i mirë për të përmendur se çfarë ndodh nëse dështoni vazhdimisht në provimin zviceran të drejtimit të automjetit.
Nëse ende nuk arrini të merrni patentën tuaj pas përpjekjes së tretë, do t’ju duhet t’i nënshtroheni një ekzaminimi të funksionit të trurit për të vlerësuar nëse jeni mjaftueshëm të aftë nga ana njohëse për të drejtuar një automjet.
Kjo nuk ka për qëllim të stigmatizojë njerëzit që nuk mund ta kuptojnë drejtimin e një automjeti në tre përpjekjet e para; përkundrazi, synon të sigurojë që ata janë të aftë ta bëjnë këtë në mënyrë të sigurt.
The post Çfarë duhet të dini rreth ndryshimeve në provimet e drejtimit të automjeteve në Zvicër në vitin 2027 appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



