Çfarë premtimesh po japin partitë politike për personat me nevoja të veçanta?
Më datë 13 janar 2025, organizata HANDIKOS ka dërguar një letër-zotimi tek kandidatët për kryeministër të të gjitha subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë që mbahen këtë të diele, më 9 shkurt. Ky dokument përshkruan situatën aktuale dhe thekson çështjet që duhet të jenë prioritet në qeverisjen e ardhshme, me qëllim përmirësimin

Më datë 13 janar 2025, organizata HANDIKOS ka dërguar një letër-zotimi tek kandidatët për kryeministër të të gjitha subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë që mbahen këtë të diele, më 9 shkurt.
Ky dokument përshkruan situatën aktuale dhe thekson çështjet që duhet të jenë prioritet në qeverisjen e ardhshme, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për personat me aftësi të kufizuara dhe zbatimin e të drejtave të tyre, të garantuara nga legjislacioni.
Në kërkesat e saj, HANDIKOS thekson nevojën për ndryshime në Ligjin për Ndërtim për të siguruar qasshmërinë, nxjerrjen e aktit nënligjor për rehabilitimin e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, dhe lirimin nga taksat për automjetet e përshtatura.
Organizata shprehu shqetësimin se asnjë kandidat nuk ka paraqitur masa konkrete për këtë kategori në platformat e tyre qeverisëse.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, në Kosovë jetojnë 337.859 persona me vështirësi afatgjata. HANDIKOS apelon për më shumë angazhim dhe respektim të të drejtave të kësaj kategorie, duke kërkuar trajtim të barabartë dhe mundësi të plota integrimi në shoqëri.
Ditë më parë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka nënshkruar zotimin e HANDIKOS-it, duke premtuar angazhim të plotë për përmirësimin e kushteve të jetesës për personat me aftësi të kufizuara. AAK-ja ka theksuar angazhimin e saj për krijimin e kushteve të barabarta dhe mundësive të plota për integrimin e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri.
Havolli: Përmirësimi i kushteve për personat me nevoja të veçanta do të jetë prioritet imi në Kuvendin e Kosovës
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Sokol Havolli, ka theksuar angazhimin e tij të vazhdueshëm për përmirësimin e kushteve për personat me nevoja të veçanta. Ai ka konfirmuar se këta persona janë pjesë esenciale e shoqërisë dhe që gjithmonë ka qenë i angazhuar për t’i përfshirë ata në aktivitetet dhe politikat publike.
‘’Mund të konfirmoj që edhe personat me nevoja të veçanta janë pjesë esenciale e shoqërisë sonë edhe janë pjesë përbërëse dhe gjithmonë edhe në funksionet e mia të mëhershme unë kam bërë veprime në baza ditore për t’i përmirësuar kushtet duke i përfshirë edhe zbatimin e ligjit në rutinën e personave me nevoja të veçanta’’, deklaroi Havolli për FrontOnline
Havolli ka shpjeguar se, gjatë funksioneve të tij të mëhershme, ka ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar kushte për personat me aftësi të kufizuara, duke përfshirë zbatimin e Ligjit dhe krijimin e hapësirave të përshtatshme për parkimin e automjeteve të tyre. Sipas tij, këto janë ende prioritetet kryesore dhe do të vazhdojnë të mbeten në fokusin e angazhimeve të tij të ardhshme.
‘’Edhe sa kam qenë në Bankën Qendrore edhe në Prishtina Parking para se të hyj në fushatë , prioritet i imi gjithmonë ka qenë edhe sigurimi i hapësirave për parkimin e tyre edhe për automjetet tyre dhe vazhdon të jetë prioritet i imi. Këtë e kam dëshmuar personalisht, angazhimi tim në mbrojtjen e tyre dhe krijimin e kushteve për ta dhe normalisht kjo duhet miratuar dhe duhen krijuar kushte për ta’’, përfundoi Havolli.
Tahiri: Do të kujdesem maksimalisht për personat me aftësi të kufizuara, një shok i imi emigroi në Francë sepse s’kishte kush të kujdesej për vajzën e tij në Shkollë
Ilir Tahiri, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka theksuar se ndihma për personat me nevoja të veçanta është jo vetëm obligim ligjor dhe institucional, por edhe moral.
‘’Është obligim përveç ligjor e institucional edhe obligim moral për me i ndihmuar kësaj kategorie të harruar’’, tha Tahiri për FrontOnline.
Ai ka ndarë një histori personale, duke përmendur se shoku i tij, i cili ka kushte të mira ekonomike, është detyruar të largohet nga Kosova për shkak të vështirësive që ka për t’u kujdesur për vajzën e tij me aftësi të kufizuara.
‘’Njëra ndër arsyet se shoku im me kushte të mira ekonomike është larguar nga Kosova që tre muaj është kjo për shkak se e ka një vajzë me aftësi të kufizuar e kanë përjashtuar nga Shkolla sepse s’ka pasur kush të kujdeset për të në klasë, prandaj është detyruar të shkojë në Francë’’, deklaroi Tahiri.
Tahiri ka shprehur shqetësimin se kjo kategori shpesh është e përmendur vetëm gjatë fushatave dhe kampanjave, por ka mbetur e harruar në praktikë.
Nimani: AAK e vetmja parti që angazhohet për përmirësimin e kushteve për personat me nevoja të veçanta
Artan Nimani,kandidat i koalicionit AAK-Nisma, ka theksuar angazhimin e koalicionit që e përfaqëson për përmirësimin e kushteve për kategoritë me nevoja të veçanta. Ai ka bërë të ditur se para se HANDIKOS të dërgonte letrën, koalicioni ka pasur një plan të qartë për të pasur një Ministri të dedikuar për këto kategori, duke përfshirë përkrahjen për shoqatat si HANDIKOS dhe Shoqata e të Verbërve.
‘’Para se ta dërgoj letrën te Hendikosi, koalicioni jonë është munduar që me kategoritë e veçanta të ketë kujdes të veçantë. Është e paraparë që në programin tonë të kemi një Ministri që do të orientohen edhe kategoritë e veçanta. Jo vetëm Hendikos por edhe me shoqatën e të verbërve do të bashkëpunojmë’’, tha Nimani për FrontOnline
Nimani ka shtuar se AAK është e vetmja parti që është e angazhuar për të zgjidhur problemet teknike dhe financiare të këtyre grupeve, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me qasjen në institucionet publike. Po ashtu, ai ka theksuar se kryeministri Ramush Haradinaj është zotuar që të plotësojë kërkesat e HANDIKOS-it dhe Shoqatave të tjera me nevoja të veçanta, duke i përmbushur ato në masën 100%
‘’Jemi subjekti i vetëm që zotohemi që të paktën në aspektin teknik dhe ato financiare t’i zgjidhim sepse po kanë probleme në qasjen e institucioneve publike. Kryeministri Haradinaj është zotuar paraprakisht për kërkesat e Hendikosit dhe shoqatave të tjera me nevoja të veçanta ti plotësoj kërkesat 100 %’’, përfundoi Nimani.