Çka premtojnë partitë në Kosovë për mërgatën?

Të dielën e nëntë shkurti qytetarët e Kosovës do të votojnë për zgjedhjet parlamentare. Të drejtë vote kanë 2 milionë e 75 mijë 868 qytetarë, brenda dhe jashtë vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të organizojë procesin zgjedhor për herë të parë më tetë shkurt në përfaqësitë diplomatike në 43 vendvotime në kuadër të 16 […] The post Çka premtojnë partitë në Kosovë për mërgatën? appeared first on Albinfo.

Çka premtojnë partitë në Kosovë për mërgatën?

Të dielën e nëntë shkurti qytetarët e Kosovës do të votojnë për zgjedhjet parlamentare.

Të drejtë vote kanë 2 milionë e 75 mijë 868 qytetarë, brenda dhe jashtë vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të organizojë procesin zgjedhor për herë të parë më tetë shkurt në përfaqësitë diplomatike në 43 vendvotime në kuadër të 16 ambasadave dhe 14 konsullatave të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 19 shtetet të ndryshme të botës.

Të drejtë vote kanë 20,324 shtetas të Kosovës të regjistruar si votues jashtë vendit dhe që kanë zgjedhur të votojnë fizikisht.

Deri më 8 shkurt kanë të drejtë vote edhe 84,600 shtetas të Republikës së Kosovës të regjistruar si votues nga jashtë dhe që kanë zgjedhur votimin me postë.

Votën e tyre do të mund ta dërgojnë në kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në 23 shtete të ndryshme të botës dhe në Kosovë.

Por, çka premtojnë partitë politike për mërgatën?

Partitë kryesore në Kosovën në programet e tyre zgjedhore vend i kanë kushtuar edhe mërgatës, përpos që edhe kanë realizuar fushatë në shtetet evropiane ku jeton dhe vepron mërgata.

Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje si prioritet thotë se e ka edhe mërgatën dhe shqiptarët në Luginë të Preshevës e bashkëpunimin me Shqipërinë. “Do të bashkëpunojmë me mërgatën tonë për progresin e vendit. Do të mbështesim pa rezervë projekte zhvillimore për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës, Bujanocit e Sanxhakut, Do të vazhdojmë koordinimin me Republikën e Shqipërisë duke thelluar projektet e përbashkëta nga energjia, arsimi e mbrojtja tek politika e jashtme”, thuhet në zotimet që mbajnë nënshkrimin e Albin Kurtit.

“Krahas nismave që ndërmorrëm gjatë qeverisjes do të shtojmë përpjekjet dhe programet që e fuqizojnë pjesëmarrjen e mërgatës në vend”, thuhet në programin e LVV-së që planifikon që përmes “Dritares për Investime të Diasporës” do të mbështeten ndermarrës nga diaspora deri në 100 milionë euro investime që bëhen në Kosovë.

“Integrimi i Kosovës në SEPA do të krijojë lehtësi të mëdha për transferet e parave në Kosovë. Kështu do të eliminohen përfundimisht tarifat e larta dhe do të kursehen miliona euro të parave të diasporës tonë”, është një prej premtimeve tjera të Lëvizjes Vetëvendosje për mërgatën.

Po ashtu synohet të fuqizohet edhe mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët e bashkëatdhetarëve.

“Mësimi i gjuhës shqipe me kurrikulë të dedikuar për fëmijët e familjeve qe jetojnë e punojnë jashtë vendit. Së bashku me Shqipërinë do të sigurohemi që të mbahet mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shtetet ku ka komunitet të madh shëiptar”, përfundon premtimet Lëvizja Vetëvendosje.

Partia Demokratike e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës në programin e saj për kulturën i ka lënë vend edhe mërgatës. Në pikën ku thuhet se synohet fuqizimi i pavarësisë së institucioneve të kulturës përmes depolitizimit dhe rritje investimeve, PDK thotë se për çdo vit, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të hapin thirrje të veçantë për mërgatën, për realizim të projekteve kulturore, shkencore dhe arsimore dhe për promovim të kulturës në të gjitha vendet që ka mërgatë shqiptare.

Në programin zgjedhor PDK parasheh edhe veprime konkrete për mërgatën që kanëë të bëjnë me forcim i lidhjes së diasporës me Kosovën, përmirësimi i kushteve dhe shërbimeve konsullore për diasporën në Kosovë, përfaqësim i diasporës në institucione të Kosovës, krijimi i regjistrave të diasporës sipas profesioneve, hapja e qendrave të reja kulturore për diasporën, mësimi plotësues në gjuhën shqipe për diasporën, angazhim i diasporës në lobim ndërkombëtar dhe promovim të Kosovës si dhe nxitja e kthimit të trurit dhe integrimi i talenteve të diasporës (brain gain).

Me anë të këtyre veprimeve synohet që përmes programeve të veçanta për bashkëpunim ekonomik dhe shkëmbime kulturore do të krijohen mundësi që diaspora të kontribuojë më shumë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

PDK po ashtu premton se do t’i zgjerojë shërbimet konsullore, do të hapëkonsullata të reja dhe do ta përmirësojë orarin e administratës për t’i lehtësuar nevojat e diasporës gjatë periudhave të ngarkuara. “Gjithashtu, teknologjia digjitale do të përdoret për ta përmirësuar qasjen në shërbime, duke lehtësuar procedurat burokratike dhe ulur kostot për qytetarët jashtë vendit”, premton PDK.

PDK thotë se diaspora do të ketë vende të garantuara për përfaqësim në Kuvend dhe Qeveri, duke i dhënë zë më të fuqishëm në proceset vendimmarrëse. “Ky përfaqësim do të ndihmojë në përfshirjen e drejtpërdrejtë të diasporës në zhvillimin e politikave publike që ndihmojnë në përmirësimin e kushteve për ata që jetojnë jashtë vendit”, thuhet në program.

“Do të hartohen regjistra që do t’i kategorizojnë anëtarët e diasporës sipas profesioneve të ndryshme, duke përfshirë studentë, ndërmarrës, sportistë dhe ekspertë. Kjo bazë e të dhënave do të ndihmojë në identifikimin dhe lidhjen e profesionistëve të diasporës me projektet zhvillimore dhe sektorët e ekonomisë që kërkojnë ekspertizë specifike në Kosovë”, është premtimi tjetër i PDK-së.

Kjo parti po ashtu synon të hapë qendra kulturore të reja në vendet me përqendrim të lartë të diasporës, sipas tyre për të “ndihmuar në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor”. “Këto qendra do të shërbejnë edhe si pika takimi për organizimin e eventeve kulturore, edukative dhe shkëmbimeve të përvojave ndërmjet diasporës dhe Kosovës”, thuhet në programin e PDK-së.

Në kuadër të planit për ruajtën e gjuhën dhe identitetit shqiptar, PDK thotë se do mbështesë zhvillimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e diasporës. “Kjo nismë do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve kulturore dhe gjuhësore të gjeneratave të reja me atdheun, duke ua ofruar atyre mundësinë t’i ruajnë rrënjët dhe kulturën shqiptare”, bëhet e ditur në programin e PDK-së.

Po ashtu, PDK premton mbështetje të diasporës për lobimin ndërkombëtar për njohjen e Kosovës dhe sjelljen e investimeve të huaja. “Diaspora do të luajë rol kyç në promovimin e Kosovës në fusha si biznesi, politika dhe diplomacia, duke përdorur rrjetet e tyre ndërkombëtare për t’i avancuar interesat kombëtare të Kosovës”, thonë nga PDK.

“Do të angazhohemi për ta nxitur kthimin e profesionistëve dhe talenteve diasporës në Kosovë, duke krijuar programe të posaçme për integrimin e tyre në tregun e punës dhe sektorët kyçë si arsimi, shëndetësia, teknologjia dhe inovacioni. Përmes këtyre programeve, profesionistët e kthyer do të kenë mundësinë të kontribuojnë në zhvillimin afatgjatë të vendit, duke sjell përvoja dhe njohuri të avancuara që kanë fituar jashtë Kosovës”, është veprimi i fundit që liston PDK-ja në kuadër të planit të saj për diasporën.

Lidhja Demokratike e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës synon ruajtjen, zhvillimin dhe kultivimin e identitetit të pjesëtarëve të diasporës. Po ashtu synon që përmes programeve të veçanta edukativo-arsimore, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare te të gjithë brezat që jetojnë jashtë vendit.

Planet e LDK-së për mërgatën kanë të bëjnë me themelimin e agjencisë për diasporë. Kjo synohet me shkëputjen e dikasterit të Diasporës nga Ministria e Punëve të Jashtme.

“Parashihet që të ketë një administratë të zvogëluar, që do të funksionojë si agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, duke bërë që marrëdhëniet me diasporën e Kosovës nëpër botë të trajtohen me prioritet”, premton LDK-ja.

Si pjesë e angazhimit tonë për mërgatën, LDK synon fuqizimin e mësimit plotësues shqip. “Aktualisht, pjesa më e madhe e mësimit plotësues organizohet në baza vullnetare. Do të studiohet në veçanti modeli i mësimit online, nëpërmjet organizimit të klasëve nga Kosova, për fëmijët shqiptare në mërgatë. Në këtë formë, do të arrihet edhe gjithëpërfshirje më e madhe, por njëkohësisht edhe kontroll më substancial në kurikulën e mësimit plotësues shqip”, premton kjo parti.

Në kuadër të planit për investime nga diaspora, LDK e konsideron mërgatën si gurthemel me lidhjet e saj globale. “Lidhja Demokratike e Kosovës, duke e njohur rolin kryesor të diasporës sonë në sixhadenë ekonomike të vendit, propozon Kornizën e Investimeve dhe Biznesit të Diasporës (DIBF). Kjo iniciativë gjithëpërfshirëse do t’i japë përparësi reduktimit të proceseve të investimit, duke ofruar gjithashtu stimuj tërheqës”, thuhet në program.

Premton se përfitimet tatimore të përshtatura për investimet e diasporës do të sigurojnë rrjedhje më të mirë të kapitalit, ndërsa një tavolinë e dedikuar mbështetëse do të ofrojë udhëzime në çdo fazë, nga regjistrimi i biznesit deri tek lundrimi në nuancat e tregut vendor.

“Nëpërmjet DIBF-së, ne parashikojmë një simbiozë harmonike ku diaspora, ndërkohë që korr fitime konkurruese nga investimet e saj, luan gjithashtu një rol të drejtpërdrejtë në stimulimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Duke e pozicionuar Kosovën në mënyrë të favorshme në skenën e biznesit global dhe duke siguruar që pengesat që dikur mbytën investimet e diasporës janë eliminuar, ne synojmë të ndërtojmë një urë ekonomike nga e cila përfiton kombi dhe diaspora e tij”, planifikon LDK-ja.

Kjo parti ka si plan edhe shkëmbimin e njohurive përmes një programi të vecantë. “Prezantimi i Programit të Shkëmbimit dhe Mentorimit të Njohurive (KEMP), një platformë ku profesionistët dhe akademikët e diasporës bashkëpunojnë me institucionet kosovare. Përmes leksioneve të ftuar, punëtorive dhe iniciativave të mentorimit, KEMP-i synon të futë praktikat më të mira globale në sferën tonë akademike dhe profesionale”, bëhet e ditur në program.

Lidhja Demokratike e Kosovës planifikon edhe një iniciativë për “ambasadorët kulturor”. “Lidhja Demokratike e Kosovës synon ta përforcojë këtë thelb përmes Iniciativës së Ambasadorit Kulturor (CAI). Duke mbështetur ekspozitat kulturore të udhëhequra nga diaspora jashtë vendit, qofshin ekspozita arti, festivale muzikore apo ngjarje kulinarie, CAI kërkon të vendosë trashëgiminë e pasur të Kosovës në hartën botërore. Përtej festimeve të thjeshta, këto ngjarje do të shërbejnë si kanale për shkëmbimin kulturor dhe turizmin”, bëhet e ditur nga LDK-ja.

Lidhja Demokratike e Kosovës prezanton Politikat e dedikuara për Integrimin dhe Kthimin e Diasporës (DIRP) po ashtu edhe organizimin e aktivitete edukativo-arsimore, me tema që thotë se do të jenë në funksion të edukimit të fëmijëve të diasporës sikurse, ekskursionet mësimore, kuizet e diturisë, festivali i fëmijëve të Diasporës, me qëllim që të krijohen ura lidhëse ndërmjet diasporës dhe Kosovës.

“LDK-ja do të angazhohet që të thellojë bashkëpunimin me shoqatatat shqiptare në diasporë, të fuqizojë komunitetin përmes projekteve të përbashkëta me qëllim që të avansojë vlerat shoqërore që ta bëjë faktor të rëndësishëm diasporën tonë”, premton LDK-ja për diasporën.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA i lënë hapësirë diasporës edhe në Pakon për Familjen.

“Hartimi i Strategjisë, tre deri pesëvjeçare, për kontrollin dhe parandalimin e emigrimit, duke përfshirë detyrimet e institucioneve shtetërore, sistemin vleror, subvencionimin e ideve dhe projekteve ekonomike, vënien në kontakt të ngushtë midis institucioneve dhe mërgatës, si dhe planifikimin e regjistrimit të pasurisë pronësore dhe intelektuale të mërgatës”, thuhet në planet e koalicionit.

Ky koalicion po ashtu parasheh pako që nxit dhe lehtëson ardhjen e investimeve nga mërgata.

Krahas kësaj, në kuadër të zhvillimit ekonomik koalicioni konsideron rritjen e investimeve të huaja direkte dhe atyre nga diaspora. “Kjo mund të ndryshojë përmes një Partneriteti Publiko-Privat, ku kompanitë vendore apo ndërkombëtare do t’u bënin PR dhe Marketing modeleve, shembujve, sektorëve, praktikave, nismave, natyrës, etj. Kjo mund të realizohet në muajt e parë të qeverisjes”, premton ky koalicion.

Në kuadër të ndërtimit të profilit shtetëror AAK-NISMA premtojnë një ‘Plan Veprimi’ në funksion të “Nation Branding” që sipas tyre do të përmbajë një Strategji të Komunikimit në nivel vendor, Përfshirjen e Diasporës, Zhvillimin e Turizmit, Zhvillimin e Diplomacisë Publike e Ekonomike, dhe Afirmimin e Arritjeve Qeverisëse dhe Demokratike.

Në fushën e arsimit, koalicioni për Kosovën Fituese premton rregullimin me ligj të arsimit plotësues në diasporë.

The post Çka premtojnë partitë në Kosovë për mërgatën? appeared first on Albinfo.