Dialogu/ S`pritet asnjë rezultat pa u sanksionuar Serbia
Ish-kryenegociatori kosovar, Avni Arifi nuk pret diçka pozitive nga dialogu me Serbinë, pa i ndëshkuar kjo e fundit nga Bashkimi Evropian për agresionin në Veri. Këtë përgjigje, ai e dha të martën në një intervistë për Front Online, teksa theksoi se bisedimet mes palëve s`kanë alternativë. “Dialogu nuk ka alternativë, por përpara se të mendohet […]


Ish-kryenegociatori kosovar, Avni Arifi nuk pret diçka pozitive nga dialogu me Serbinë, pa i ndëshkuar kjo e fundit nga Bashkimi Evropian për agresionin në Veri.
Këtë përgjigje, ai e dha të martën në një intervistë për Front Online, teksa theksoi se bisedimet mes palëve s`kanë alternativë.
“Dialogu nuk ka alternativë, por përpara se të mendohet për dialog duhet që situata e 24 shtatorit të adresohet si duhet. I takon Qeverisë që të bindë vendet e BE-së se ajo çfarë ka bërë Serbia përbën agresion dhe i takon diplomacisë së Kosovës që temën e sanksioneve dhe trajtimin e drejtë ta ngris në nivelin e duhur”, u shpreh Arifi për Front Online.
“Unë nuk besoj se pa adresimin e duhur dhe pa masa adekuate mund të ketë një dialog që sjell diçka të mirë në proces”, theksoi tutje Arifi për Front Online.
Deputeti i VV-së: S`pritet asgjë nga dialogu, pa u treguar qëndrimi i qartë i BE-së karshi agresionit në Veri
Deputeti i VV-së, Agon Batusha tha për Front Online se pa u treguar e prerë BE ndaj Serbisë s`pritet asgjë nga dialogu.
“Pa pasur qëndrim dhe veprim të qartë të BE-se ndaj agresionit serb, mbi gjitha ndaj shtetit që sponzorizon terrorizmin dhe rrezikon strukturën e sigurisë në Ballkan, nuk shoh arsye apo hapësirë që të mund të arrihet ndonjë gjë”, potencoi Batusha.
Deri të arrihet kjo, sipas tij, çdo përpjekje është e kot.
“Fundja, nuk kanë kuptim tentativat diplomatike, kur nuk adresohet qartë fajtori. Duhet të kthehen barazia dhe korrektësia në dialog”, u shpreh Batusha për Front Online.
Analistët: Dialogu të pezullohet deri në sanksionimin e Serbisë nga BE
Ndërkohë analistët politikë konsiderojnë se dialogu duhet të oms vazhdojë deri sa BE të dal me versionin e vet final karshi agresionit serb të 24 shtatorit në Veri.
“Së paku pa u dorëzuar akteret që kanë organizuar sulmin terrorist në Veri, pranë organave te Policisë së Kosovës, Kosova nuk do duhet të jetë palë negociuese në Bruksel”, u shpreh analisti Arbnor Sadiku për Front Online.
Koment të njëjtë pati edhe politologu Fidan Ukaj.
“Dialogu nuk duhet të vazhdojë deri të marrë epilog rasti i 24 shtatorit dhe BE-ja të dal me version final, sanksione që e implikojnë Serbinë e presidentin Vuçiq në këtë rast”, potencoi Ukaj.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pyetur nga gazetarët nëse do të ketë në Granada të Spanjës takim me preisdentin e Serbisë, Aleksander Vucic.
Osmani ka thënë se s’ka arsye për të mbajtur një takim me presidentin serb, duke thënë se fillimisht duhet të vëndosen sanksione ndaj Serbisë e Vuçiqit dhe më pas mund të flitet për gjërat e tjera.