“Dodik, mbrojtës i Krishterimit!” Kush loboi te Trump për heqjen e sanksioneve?
Administrata Trump ka hequr sanksionet ndaj aleati të Presidentit rus Vladimir Putin, i cili u shkarkua këtë muaj nga posti i Presidentit të territorit serb brenda Bosnjë-Hercegovinës, për shkak të përpjekjeve për të minuar marrëveshjen e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA që i dha fund dhunës etnike në Ballkan në vitet 1990. Heqja e sanksioneve […]
Administrata Trump ka hequr sanksionet ndaj aleati të Presidentit rus Vladimir Putin, i cili u shkarkua këtë muaj nga posti i Presidentit të territorit serb brenda Bosnjë-Hercegovinës, për shkak të përpjekjeve për të minuar marrëveshjen e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA që i dha fund dhunës etnike në Ballkan në vitet 1990.

Heqja e sanksioneve ndaj Milorad Dodik erdhi pas një fushate lobimi që zgjati disa muaj nga aleatë të Donald Trump, të cilët e paraqitën liderin nacionalist serb si mbrojtës të “vlerave të krishtera” në një vend me një popullsi të madhe myslimane, dhe si viktimë të së njëjtës lloj “luftë juridike” që, sipas tyre, po ushtrohet edhe ndaj presidentit amerikan.
Dodik ishte sanksionuar nga SHBA për shpërfillje të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila u arrit me shumë mundim në Ohio në vitin 1995 për t’i dhënë fund Luftës së Bosnjës. Edhe pse marrëveshja ndali gjakderdhjen, ajo e ndau Bosnjën në dy njësi: Federatën, ku myslimanët boshnjakë ndajnë pushtetin me kroatët, dhe Republika Srpska me shumicë serbe.
Gjatë më shumë se 20 viteve në pushtet në Republikën Srpska, Dodik ka kërcënuar vazhdimisht për t’u shkëputur nga Bosnja dhe për t’u “ribashkuar” me Serbinë. Ai ka bllokuar integrimin e Bosnjës në Europë, duke nxitur tensione etnike, takohet shpesh me Putin-in në Rusi dhe ka kultivuar atë që Departamenti Amerikan i Thesarit e ka quajtur “rrjet patronazhi korruptiv”.
Boshnjakët kishin filluar së fundmi të imagjinonin një të ardhme pa Dodik, pasi lideri afatgjatë u dënua nga një gjykatë federale e Bosnjës për cenimin e marrëveshjes së Dejtonit, iu ndalua mbajtja e funksioneve politike dhe iu hoq posti i presidentit. Por ekspertët thonë se heqja e papritur e sanksioneve ndaj Dodikut mund t’i lejojë atij të vazhdojë të dominojë Republikën Srpska, ndërsa u tregon autokratëve të tjerë në rajon se lobimi i financuar mirë mund të japë frytet e veta në Uashingtonin e Trump-it.
“Çfarë mesazhi jep ky vendim, që nëse ke lidhjet e duhura dhe lobistët e duhur, mund të hiqesh nga lista e sanksioneve? Kjo vendos një precedent negativ”, tha për CNN Andi Hoxhaj, ekspert i Ballkanit në King’s College London. Duke u marrë tri javë para 30-vjetorit të Dejtonit, tha ai, koha e këtij vendimi nga administrata Trump ishte veçanërisht demoralizuese.
Zyra Amerikane e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) nuk shpjegoi pse hoqi sanksionet ndaj Dodik-ut, si edhe ndaj dhjetëra aleatëve të tij, anëtarëve të familjes dhe kompanive të lidhura me ta. CNN i ka kërkuar koment Departamentit të Thesarit.
Departamenti i Shtetit tha se vendimi u mor pasi Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska ndërmori “veprime konstruktive” javët e fundit për “përmirësimin e stabilitetit” në vend, me gjasë duke iu referuar emërimit të një presidenti të përkohshëm në Republikën Srpska pasi Dodik u shkarkua në gusht dhe, pasi fillimisht kërcënoi se do t’i sfidonte autoritetet boshnjake, u tërhoq më herët këtë muaj.
Dodik vlerësoi Trump-in dhe aleatët e tij për heqjen e sanksioneve, duke thënë se vendimi korrigjonte “një padrejtësi të rëndë” të shkaktuar ndaj Republikës Srpska “nga administratat Obama dhe Biden”. Ajo që Dodik nuk përmendi, megjithatë, është se ai u sanksionua gjithashtu nga administrata Trump në korrik 2017 për pengim të marrëveshjes së Dejtonit. Administrata Biden vendosi sanksione të reja ndaj tij në vitin 2022 dhe përsëri në fillim të vitit 2025.
Dodik filloi të kërkonte favorin e Trump-it para zgjedhjeve të vitit 2024, kur presidenti përballej me dhjetëra akuza penale. “Amerika ka nevojë për ju, por edhe pjesa tjetër e botës!”, i shkroi Dodik Trump-it në shtator të atij viti, pas atentatit të dytë ndaj tij.

