VV dorëzon materiale për hetim të Komunës së Prishtinës: Ka pasur transfere të parave nga Kosova në Angli, thuhet se autoritet britanike nisën hetimet

Asamblistët e Vetëvendosjes në Prishtinë sot kanë dorëzuar disa materiale pranë hetuesisë që i ka pranuar përmes emailit nga një person anonim, që sipas tyre është paraqitur si punëtor i komunës.
Në prononcimin për media, shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla ka thënë se këto materiale kanë të bëjnë me çështjen e aferës së legalizimeve në komunën e Prishtinës, transmeton lajmi.net.
Përpos çështjes së legalizimeve, personi anonim në email ka ngritur pretendime të tjera se transfere të shumave të mëdha të parave janë bërë nga Kosova në Britani të Madhe dhe se autoritet atje kanë filluar hetimet.
“Sot pranë hetuesisë kemi dorëzuar disa materiale, të cilat i kemi marrë nga një sinjalizues anonim, që prezantohet se është punëtor i komunës, materialet kanë të bëjnë tashmë me çështjen tashmë të përfolur të skandalit të legalizimeve të paligjshme që kanë ndodhur në komunën e Prishtinës. Konkretisht, tashmë tregohet qartë, përmenden emra të bizneseve, emra të zyrtarëve dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur gjatë këtij procesi të legalizimit. Siç e dini, legalizimi është i rregulluar me ligj, ndërkohë që objektet që janë të legalizuara kanë deficite të ndryshme ligjore, duke filluar që një pjesë e tyre janë në pronë publike, pastaj kemi raste të tjera ku objektet janë ndërtuar pas vitit 2018, kur ka hyrë në fuqi ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Për këtë arsye e kemi vlerësuar shumë të rëndësishme që lëndët si parashtresë t’i bashka ngjitemi hetuesve që tashmë janë duke e hetuar rastin që ka ndodhur nga kallëzimi penal që ne e kemi bërë me datën 30 korrik. Ndërkaq, ky email, përpos çështjes së legalizimeve përmban edhe një varg pretendimesh të tjera të cilat, sipas sinjalizuesit gjithmonë, kanë ndodhur në komunën e Prishtinës e që kanë të bëjnë me shkelje të ndryshme ligjore duke filluar nga transferet e shumave të mëdha, që kanë ndodhur nga Kosova në Britani, e të cilat sipas pretenduesit autoritetet britanike tashmë i kanë filluar hetimet, e njëjta gjë thuhet edhe për Prokurorinë e shtetit të Kosovës, këtë ju mbetet juve që ta vërtetoni.”, tha ndër të tjera Sveçla./lajmi.net/
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



