Elezi: Për prodhimin e armëve nevojiten 13 licenca, pajisja me të cilat zgjatë deri në tri vite
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, për FrontOnline ka bërë një vlerësim të rëndësishëm mbi procesin e ngritjes së fabrikave për prodhimin e municioneve dhe armëve në Kosovë. Sipas tij, kjo çështje përfshin një procedurë të detajuar dhe komplekse, ku kërkohen gjithsej 13 licenca, të cilat, siç thotë ai, mund të zgjasin deri në

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, për FrontOnline ka bërë një vlerësim të rëndësishëm mbi procesin e ngritjes së fabrikave për prodhimin e municioneve dhe armëve në Kosovë.
Sipas tij, kjo çështje përfshin një procedurë të detajuar dhe komplekse, ku kërkohen gjithsej 13 licenca, të cilat, siç thotë ai, mund të zgjasin deri në tre vite për t’u marrë.
‘’Çështja e ngritjes së fabrikave për prodhimin e municioneve dhe armatimeve e ka një procedurë sa i përket licencave. Janë gjithsej 13 licenca të cilat duhet marrë, dhe marrja e këtyre licencave mund të zgjasë deri në tri vite’’, tha Elezi.
Elezi gjithashtu theksoi se prodhimi i municioneve dhe armëve, në mënyrë të drejtpërdrejtë, përfshin angazhime ndërkombëtare, pasi lidhet me licenca dhe aktivitete që kanë të bëjnë me institucionet e sigurisë ndërkombëtare.
‘’E dyta ka dhe zotim në aspektin ndërkombëtar për shkak se angazhimi në prodhim e municioneve dhe armatimeve në mënyrë të drejtpërdrejte përfshin edhe aktivitete apo çështje që kanë të bëjnë me licenca ndërkombëtare, sidomos të institucioneve të sigurisë’’, deklaroi për FrontOnline njohësi I çështjeve të sigurisë.
Ai tha se nuk ka pasur asnjë informacion të qartë se cilat janë angazhimet konkrete të Kosovës për përmbushjen e kritereve lokale dhe ndërkombëtare për ngritjen e fabrikave për prodhimin e municioneve dhe dronëve.
‘’Ne kemi parë deklarata të këtij lloji edhe më herët dhe nga ministri Maqedonci, por që deri tani nuk kemi parë asnjë deklaratë se cilat kanë qenë angazhimet reale dhe serioze të Republikës së Kosovës sa i përket përmbushjes së kritereve lokale dhe ndërkombëtare për çështjen e ngritjes së fabrikave për prodhimin municioneve dhe dronëve’’, potencoi Elezi.
Elezi mendon se deklaratat e bëra deri tani janë më shumë politike dhe nuk janë mbështetur me hapa konkretë.