Filipçe njoftoi ndryshime politike dhe kadrovike në LSDM pas raundit të dytë të zgjedhjeve
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipce, njoftoi se pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, do të pasojnë ndryshime politike dhe kadrovike në udhëheqjen e partisë. Ai deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve janë një tregues i qartë se ku ka bërë përparim partia dhe ku duhen bërë ndryshime dhe puna të intensifikohet, transmeton Portalb.mk. “Më lejoni […]

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipce, njoftoi se pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, do të pasojnë ndryshime politike dhe kadrovike në udhëheqjen e partisë. Ai deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve janë një tregues i qartë se ku ka bërë përparim partia dhe ku duhen bërë ndryshime dhe puna të intensifikohet, transmeton Portalb.mk.
“Më lejoni të njoftoj ndryshimet politike dhe kadrovike në udhëheqje, pikërisht pas zgjedhjeve, për të cilat do të informoheni”, tha Filipçe, duke shtuar se LSDM tashmë po shënon rritje në disa komuna, por ka edhe rezultate të dobëta, veçanërisht në komunat e Shkupit.
“Vitin e kaluar, e gjeta partinë në një gjendje vërtet të vështirë dhe të keqe, pas një humbjeje me një diferencë prej 300,000 votash. Në një vit e gjysmë të kaluar, kam punuar intensivisht në të gjitha organizatat komunale, me mijëra anëtarë tanë, kontakte të drejtpërdrejta, takime dhe konferenca”, tha Filipçe.
Ai theksoi se në disa komuna numri i votave është rritur me 40 deri në 50 përqind, dhe në disa vende madje është dyfishuar krahasuar me zgjedhjet e vitit të kaluar.
“Kjo tregon se puna e investuar ka dhënë rezultate. Nga ana tjetër, ka komuna ku kjo nuk ka ndodhur, këtu po mendoj për komunat e Shkupit”, shtoi ai.
Sipas Filipçes, zgjedhjet janë tregues i mirë se si duhet të pozicionohet LSDM në periudhën e ardhshme dhe çfarë ndryshimesh nevojiten në qasje.
“Është e qartë se nevojitet punë intensive, veçanërisht në ato komuna ku nuk arritëm rezultatin e dëshiruar”, tha kryetari i LSDM-së.
Në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, LSDM fitoi në tre komuna, ndërsa në disa të tjera do të shkojë në balotazh.
Ndryshe, rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më dy nëntor.
