Ganimete Musliu denoncon në IPK policin që thotë se e sulmoi fizikisht në Kuvend

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka bërë të ditur se së bashku me sekretaren e përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku, ka denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) policin që, sipas saj, e ka cenuar fizikisht gjatë seancës plenare të Kuvendit të mërkurën.
Musliu ka kërkuar hetim për veprimet e policit, duke thënë se për 15 vjet, si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri, ka punuar për një Polici të Kosovës profesionale, të depolitizuar dhe me integritet.
“Sot, së bashku me Sekretaren e Përgjithshme të Partisë, znj. Vlora Çitaku, denoncuam në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe kërkuam hetim për policin i cili më cenoi fizikisht në vendin tim të punës, saktësisht në sallën e seancës plenare. Duke qenë se si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri, për 15 vite rresht kam punuar fort për të pasur një Polici profesionale, të depolitizuar dhe me integritet, nuk mund të hesht përballë një rasti të tillë.Ky reagim nuk bëhet për të mbrojtur veten time, por, para së gjithash, për të mbrojtur institucionin e Policisë së Kosovës dhe integritetin e tij, në mënyrë që Policia të mos rrëshqasë në urdhrat dhe ndikimet e asnjë partie politike”, shkroi ajo.
Musliu ka ngritur po ashtu pyetjen se kush e ka ftuar Policinë e Kosovës në sallën e seancave plenare dhe kush ka autorizuar ndërhyrjen e saj brenda sallës.
Sipas Musliut, në një seancë konstituive, autoriteti që mund ta ftojë Policinë në sallë, nëse paraqitet nevoja, është mandatar-i për udhëheqjen e seancës. Ajo ka kërkuar që të sqarohet nëse në rastin konkret policia është ftuar nga Avni Dehari.
“Por, krahas hetimit për veprimet e policit, si deputete dhe si qytetare te Republikës së Kosovës, kërkuam të dimë edhe diçka tjetër: Kush e ka ftuar Policinë në sallën e seancave plenare? Ky është një informacion që duhet ta dijë jo vetëm Kuvendi, por edhe opinioni publik. Në një seancë konstituive, ku Kuvendi ende nuk është konstituuar, duhet të jetë e qartë se kush ka autorizuar praninë dhe ndërhyrjen e Policisë brenda sallës. Sipas rregullave të procedurës së seancës konstituive, i vetmi autoritet që mund ta ftojë Policinë në sallë nese paraqitet nevoja është mandatar-i për ta udhëhequr seancën, Ne rastin konkret z. Avni Dehari, atëherë kjo duhet të sqarohet publikisht.Kush e ka dhënë urdhrin? Kush e ka ftuar Policinë? Dhe mbi çfarë baze është ndërhyrë në sallën e Kuvendit? Këto nuk janë pyetje personale. Janë pyetje për përgjegjësinë institucionale”
“Sepse kur Policia hyn në sallën e Kuvendit dhe një deputet cenohet fizikisht, nuk mjafton të hetohet vetëm polici që ka kryer veprimin. Duhet të hetohet edhe zinxhiri i përgjegjësisë dhe urdhrit që e solli Policinë aty. E lartpermenda se kam punuar për 15 vite rresht që Policia e Kosovës të jetë profesionale, e pavarur dhe me integritet. Nuk do të hesht tani, kur pikërisht këto parime duhet të mbrohen më shumë se kurrë. Policia i shërben ligjit dhe Republikës së Kosovës, jo urdhrave politikë. Prandaj, i bëj thirrje çdo polici dhe çdo shërbyesi civil në Republikën e Kosovës që t’i qëndrojë besnik ligjit, Kushtetutës dhe detyrës së vet profesionale, e të mos i nënshtrohet asnjë diktati, presioni apo urdhri politik që cenon pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të shtetit”, shkroi Musliu./Gazeta10
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



