Haradinaj godet VV-në: Kemi hyrë në situatë të rrezikshme

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje qëllimisht e ka djegur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, Kosova ka hyrë në situatë të rrezikshme. Ai ka thënë se tash është koha që të merren “veprime që ndihmojnë ruajtjen e kushtetutshmërisë”.
Haradinaj ka paralajmëruar se Aleanca do të jetë pjesë e seancës konstituive, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues.
“Ajo që është më e keqja është se Kurti, Albulena e të tjerët, qëllimshëm ia kanë djegur Kosovës afatin kushtetues për t’i zgjedhur institucionet. Si do të dalim nga kjo, do të marrim me kujdes… Të shohim si mund ta nxjerrim vendin nga situata e re e krijuar, për nxjerrjen e institucioneve. Kemi hyrë në situatë të rrezikshme… Kjo që ka ndodhur ka pasoja kushtetuese. Veprimet e ardhshme duhet të ndihmojnë në ruajtjen e kushtetutshmërisë”, ka thënë ai para hyrjes në Kuvend.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



