Publikohet i plotë vendimi i Gjykatës për caktimin e paraburgimit ndaj Jeton Sylajt

Gjykata Themelore në Pejë të martën (27 tetor) ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Jeton Sylaj nën dyshimin për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Sylaj është ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetorit nga i dyshuari- ish-kunati i saj Albert Sylaj pak pasi kishte lajmëruar Jeton Sylajn në Polici për dhunë në familje
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e Gjykatës për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Jeton Sylaj, sipas të cilit, ky i fundit në seancën dëgjimore deklaroi se ndien keqardhje për atë që ka ndodhur dhe se është munuar ta parandalojë.
Në anën tjetër, tani e ndjera Arlinda Zekaj gjatë deklarimit në Polici, kishte thënë se është kanosur nga i pandehuri, duke iu drejtuar policëve se a duhet të vritet që të reagojnë e ta arrestojnë atë.
Deklarata e viktimës në Polici natën që u vra: A duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin?
Sipas vendimit, në seancën dëgjimore, prokurori i shtetit Argzon Hasi ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, duke theksuar se janë plotësuar kushtet që të pandehurit t’i caktohet paraburgimi.
Prokurori Hasi ka deklaruar se viktima gjatë intervistimit para njësitit të dhunës në familje, ka deklaruar se i pandehuri e kishte kansour me fjalët “unë të thej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time, ti nuk guxon më kështu me vepru, kush je ti“, dhe pastaj ia kishte marrë rrobat e ia kishte hudh në oborr.
Po ashtu, në deklarimin e dhënë para policisë, viktima Arlinda Zekaj thuhet që deklaroi “a duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin”.
Në anën tjetër, sipas vendimit, i dyshuari ishte mbrojtur në heshtje.
Gjashtë raste penale të hapura ndaj të pandehurit Sylaj
Më tej, prokurori Hasi kishte deklaruar se i pandehuri Jeton Sylaj ka gjashtë raste të hapura penale, ku katër prej tyre datojnë në vitin 2026. Për këtë, Prokuroria ka vlerësuar që nëse i pandehuri lihet në liri, mund të arratiset që t’i shmanget përgjegjësisë penale.
Avokati: Klienti im nuk ka kryer dhunë fizike ndaj viktimës
Në anën tjetër, sipas vendimit, mbrojtësi i Sylajt, avokati Gani Kelmendi i caktuar sipas detyrës zyrtare, e kundërshtoi propozimin e Prokurorisë për paraburgim, duke thënë se klientit të tij i vjen keq për rastin që, sipas tij, ka ndodhur pa dëshirën e tij, duke shtuar se nuk ka kryer dhunë ndaj tani të ndjerës Zekaj.
Sipas avokatit, i pandehuri kishte kërkuar nga organet e policisë që mos ta lejojnë viktimën të shkojë në shtëpi ngase marrëdhënit mes tyre ishin të këqija.
Më tej, për natën kritike, avokati ka thënë se i pandehuri i kishte kërkuar tani të ndjerës të mos i largojë rrobat e tij nga lavatriçja derisa të pastrohen, por që sipas tij, ajo i largoi dhe i hudhi.
Kelmendi po ashtu thuhet se deklaroi që nuk qëndrojnë pretendimet për fjalët që Sylaj i përdori ndaj Zekajt. Dhe se, nuk ekziston rreziku i arratisjes sepse pasaporta e të pandehurit gjendet tek organet e hetuesisë.
Andaj, avokati propozoi që Jeton Sylajt t’i caktohet ndonjë nga masat alternative.
I pandehuri Jeton Sylaj: Kam fëmijën 12-vjeçar që tani s’di ku është, ka nevojë për kujdesin tim
Gjithnjë sipas vendimit, i pandehuri Jeton Sylaj në seancë dëgjimore e kundërshtoi në tërësi propozimin për caktimin e masës së paraburgimit, me arsyetimin se ka fëmijën 12-vjeçar që tani nuk e di se ku është se e ka nevojë për kujdesin e tij.
Ai po ashtu ka deklaruar se pasaportën e Amerikës ia kanë marrë organet e hetuesisë, kurse atë të Kosovës ia kishte marrë tani e ndjera, pa të cilat dokumente nuk mund të largohet.
“Ndjej keqardhje për këtë çka ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”, citohet se deklaroi Sylaj.
Kështu, gjyqtarja e procedurës paraprake Selvije Morina-Zejnaj pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, pretendimeve të palëve, vlerësoi se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit është e bazuar, me arsyetimin se janë plotësuar kushtet për caktimin e kësaj mase.
Kundër këtij aktvendimi, lejohet ankesa brenda 48 orëve.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



