Ish-drejtori i Policisë: Deklaratat e presidentes Osmani për prodhimin e dronëve dhe municioneve janë joserioze
Në një konferencë të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Kosova do të fillojë së shpejti prodhimin e municioneve dhe dronëve, duke theksuar rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë me NATO-n dhe shtetet partnere për arritjen e këtij qëllimi. ‘’Kosova së shpejti do të
Në një konferencë të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Kosova do të fillojë së shpejti prodhimin e municioneve dhe dronëve, duke theksuar rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë me NATO-n dhe shtetet partnere për arritjen e këtij qëllimi.
‘’Kosova së shpejti do të fillojë edhe me prodhim të dronëve dhe municioneve duke e pozicionuar vetën si një partner strategjik në fushën e mbrojtjes”, tha Osmani.
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në “Ditën e Forcës” pati nënshkruar vendimin për hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe laboratorin mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës
Kurti theksoi nevojën për një kapacitet mbrojtës vete qëndrues, veçanërisht në kontekstin e tensioneve me Serbinë.
Megjithatë, njohësve të çështjeve të sigurisë deklaratat e të parës së shtetit të Kosovës nuk u duken serioze, pasi që, siç thonë ata vendit i mungojnë kapacitetet e tilla.
Ish-deputeti i PDK-së: Kosova s’ka kapacitete për prodhimin e armëve
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili njëherit ka qenë deputet i PDK-së në legjislaturën e fundit, ka komentuar deklaratën e presidentes Osmani për prodhimin e municioneve dhe dronëve, të cilën e ka quajtur jo serioze.
‘’ Mendoj që kjo është një deklaratë jo serioze’’, tha Qalaj për FrontOnline.
Qalaj vlerësoi se, duke marrë parasysh kapacitetet aktuale të Kosovës dhe të institucioneve të sigurisë, deklarata për prodhimin e armëve dhe municioneve nuk është realiste.
Ai shtoi se, megjithatë, Kosova ka nevojë për më shumë armatim dhe municione dhe se është e domosdoshme të fillohet prodhimi, por e quajti këtë deklaratë si jo serioze.
‘’Duke i ditur kapacitetet e Kosovës dhe institucioneve të sigurisë, mendoj që Kosova ka nevojë të ketë sa më shumë armatim, e municione dhe ka nevojë të fillojë prodhimin, mirëpo nuk më duke serioze kjo deklaratë’’, deklaroi Qalaj.
Elezi: Për prodhimin e armëve nevojiten 13 licenca, pajisja me të cilat zgjatë deri në tri vite
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, për FrontOnline ka bërë një vlerësim të rëndësishëm mbi procesin e ngritjes së fabrikave për prodhimin e municioneve dhe armëve në Kosovë.
Sipas tij, kjo çështje përfshin një procedurë të detajuar dhe komplekse, ku kërkohen gjithsej 13 licenca, të cilat, siç thotë ai, mund të zgjasin deri në tre vite për t’u marrë.
‘’Çështja e ngritjes së fabrikave për prodhimin e municioneve dhe armatimeve e ka një procedurë sa i përket licencave. Janë gjithsej 13 licenca të cilat duhet marrë, dhe marrja e këtyre licencave mund të zgjasë deri në tri vite’’, tha Elezi.
Elezi gjithashtu theksoi se prodhimi i municioneve dhe armëve, në mënyrë të drejtpërdrejtë, përfshin angazhime ndërkombëtare, pasi lidhet me licenca dhe aktivitete që kanë të bëjnë me institucionet e sigurisë ndërkombëtare.
‘’E dyta ka dhe zotim në aspektin ndërkombëtar për shkak se angazhimi në prodhim e municioneve dhe armatimeve në mënyrë të drejtpërdrejte përfshin edhe aktivitete apo çështje që kanë të bëjnë me licenca ndërkombëtare, sidomos të institucioneve të sigurisë’’, deklaroi për FrontOnline njohësi I çështjeve të sigurisë.
Ai tha se nuk ka pasur asnjë informacion të qartë se cilat janë angazhimet konkrete të Kosovës për përmbushjen e kritereve lokale dhe ndërkombëtare për ngritjen e fabrikave për prodhimin e municioneve dhe dronëve.
‘’Ne kemi parë deklarata të këtij lloji edhe më herët dhe nga ministri Maqedonci, por që deri tani nuk kemi parë asnjë deklaratë se cilat kanë qenë angazhimet reale dhe serioze të Republikës së Kosovës sa i përket përmbushjes së kritereve lokale dhe ndërkombëtare për çështjen e ngritjes së fabrikave për prodhimin municioneve dhe dronëve’’, potencoi Elezi.
Elezi mendon se deklaratat e bëra deri tani janë më shumë politike dhe nuk janë mbështetur me hapa konkretë.
Drizan Shala: Kosova mund të prodhojë municione dhe dronë pas transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura
Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, ka deklaruar se Kosova ka mundësinë të prodhojë municione pas transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura.
‘’Pa dyshim që Kosova ka mundësi të prodhojë municione në një periudhë pas transformimit të FSK-së në Forcat të armatosura’’, tha Shala.
Ai vlerësoi se ky proces mund të realizohet brenda një periudhe të arsyeshme, duke përmbyllur të gjitha çështjet që lidhen me përgatitjen përkatëse. Shala theksoi se, për të arritur këtë, është e nevojshme që institucionet e Kosovës të bashkëpunojnë ngushtë me ato ndërkombëtare për të prodhuar dronë që ofrojnë mbrojtje optimale, duke garantuar kështu sovranitetin e strukturave ushtarake të Kosovës.
‘’Deri atëherë përmbyllen të gjitha çështjet të cilat ndërlidhen në aspektin e përgatitjes përkatëse që ia lejon pastaj institucioneve të Kosovës në bashkëpunim me ato ndërkombëtare të prodhojnë dronë që ofrojnë një mbrojtje optimale duke garantuar sovranitetin e strukturave tona ushtarake’’, përfundoi Shala.
Ish-deputeti Berisha: Janë deklarata naive
Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka kritikuar ashpër deklaratat e presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti , lidhur me prodhimin e municioneve dhe dronëve në Kosovë. Ai e ka cilësuar këtë gjuhë si “spekulative” dhe “të pa mençur”, duke theksuar se ajo shpesh arrin deri në nivelin e naivitetit dhe injorancës.
‘’Gjuha e presidentes, kryeministrit dhe ministrit të linjës është spekulative dhe e pa mençur, shpesh deri në nivelin e naivitetit dhe injorancës’’, tha Berisha për FrontOnline.
Sipas Berishës, nëse këta zyrtarë mendojnë se hapja e një filiali privat të një fabrike turke për prodhimin e municioneve, e cila do të operojë kryesisht për tregun e brendshëm, do të forcojë realisht sistemin e sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës, atëherë kjo është një mendësi po aq naive sa dhe deklarata e ministrit të Mbrojtjes, i cili kishte thënë se “nuk na duhet KFOR-i” për t’u përballur me Serbinë.
/FrontOnline/