Shqipëri: Hyn në fuqi vendimi për kanabisin mjekësor dhe industrial
Në Fletoren Zyrtare në Shqipëri është botuar sot vendimi i qeverisë “Për miratimin e zonave kadastrale në të cilat lejohet kultivimi i bimës së cannabis-it për qëllime industriale”. Ky vendim është në mbështetje të Kushtetutës dhe të ligjit “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së Cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për […] The post Shqipëri: Hyn në fuqi vendimi për kanabisin mjekësor dhe industrial appeared first on Albinfo.

Në Fletoren Zyrtare në Shqipëri është botuar sot vendimi i qeverisë “Për miratimin e zonave kadastrale në të cilat lejohet kultivimi i bimës së cannabis-it për qëllime industriale”.
Ky vendim është në mbështetje të Kushtetutës dhe të ligjit “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së Cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
Në vendim janë miratuar e zonat kadastrale në të cilat lejohet kultivimi i bimës së Cannabis-it për qëllime industriale.
Gjithashtu është miratuar edhe ushtrimi i aktivitetit të kultivimit të bimës së Cannabis-it për qëllime industriale, në përputhje me kufizimet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e standardeve për zonat dhe parcelat e tokës në të cilat do të lejohet kultivimi i bimës së Cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale”.
Sipas vendimit ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe subjektet e lejuara për zbatimin e këtij vendimi.
Në të gjithë vendin do të ketë 10 zona për kultivimin e kanabisit për qëllime industriale dhe mjekësore, u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj më 6 mars, kur Këshilli i Ministrave mori këtë vendim.
“Këto 10 zona janë të mirëpërcaktuara në bashkërendim me udhëzuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrinë e Brendshme që përcaktojnë më së miri sesi do të vijojë ky proces”, sqaroi ministrja, transmeton albinfo.ch.
Duke iu referuar të dhënave të studimit, ministrja shpjegoi se, “një kriter i domosdoshëm, është fakti se janë të përjashtuara të gjitha zonat me intensitet të lartë bujqësor, pra janë jashtë vëmendjes zona të zhvillimit aktual të bujqësisë intensive, dhe janë në distancë nga shkollat, vendet e banuara, si edhe gati 3 kilometra në distancë ku zhvillohet bletaria sot”.
“Këto zona janë të përcaktuara mbi bazën e këtyre kritereve”, u shpreh Denaj.
Qeveria ka miratuar më herët standardet e planit të sigurisë e të elementeve të mbrojtjes për sipërfaqen për kultivim dhe përpunim të bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe rregullave të lëvizjes së automjeteve të dedikuara të transportit të lëndëve të para dhe produkteve, që duhet të plotësojnë subjektet e licencuara.
Sipas vendimit, subjekti i licencuar për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore në ambientet ku ushtrohet aktiviteti duhet të plotësojë disa standarde, duke nisur nga ambientet që duhet të jenë të monitoruara në vazhdimësi me sistem të kamerave CCTV.
Po ashtu në varësi të vlerësimit të rrezikut dhe në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, duhet që lidhja e sinjalit të alarmit, në nivel qendror dhe/ose vendor, të jetë e lidhur edhe me sallat e komandimit/informacionit të Policisë së Shtetit.
Në vendim thuhet më tej se sipërfaqja ku kultivohet kanabisi për qëllime mjekësore duhet të ruhet 24 orë pa ndërprerje.
Gjithashtu janë miratuar edhe standardet për zonat dhe parcelat e tokës, në të cilat do të lejohet kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.
Sipas vendimit, standardet për zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale janë: parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave: të mbrojtura e të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të shpallura si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave; të pyjeve, kullotave dhe livadheve; ushtarake; të përcaktuara si sistem urban në dokumentet e planifikimit vendor të territorit.
Sipas vendimit të qeverisë parcelat e tokës duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 km, në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë.
Po ashtu parcelat e tokës, duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas vendimit në rastet, kur parcela e tokës përdoret për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore apo industriale, ajo duhet të jetë e pajisur me aktin e fitimit të pronësisë.
Standardet e parashikuara për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale siç janë: parcelat e tokës, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave të përcaktuara si sistem urban në dokumentet e planifikimit vendor të territorit si dhe parcelat e tokës që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 km në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, nuk aplikohen kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura.
The post Shqipëri: Hyn në fuqi vendimi për kanabisin mjekësor dhe industrial appeared first on Albinfo.