Jeton Sylaj para Prokurorisë: Është e vërtet se unë Arlindës i kam thënë fjalët ‘kom met mbyt, kom met ngre zhag’ – e kam bërë për shkak të djalit

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur dyshime të bazuara mirë se Jeton Sylaj ka kryer veprën penale “Kanosja” ndaj ish-bashkëshortes së tij, Arlinda Zekaj.
Në dosjen e siguruar nga Klankosova.tv, fokusi kryesor bie mbi deklaratën e vetë të dyshuarit, i cili para prokurorit ka pranuar fjalët kërcënuese ndaj ish-gruas, por është arsyetuar se këtë e ka bërë në mbrojtje të djalit të tyre 12-vjeçar.
Sipas shkresave të lëndës, rasti fillimisht ishte iniciuar më 10 korrik 2026, kur e dëmtuara kishte denoncuar Sylajn për dhunë në familje dhe kanosje. Fillimisht, në stacionin policor më 14 korrik, i dyshuari kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje, duke deklaruar se do t’i paraqiste faktet vetëm para prokurorit të shtetit.
Në procesverbalin e marrjes në pyetje në Prokurorinë Themelore në Pejë, më 23 korrik 2026, Jeton Sylaj ka rrëfyer versionin e tij mbi ngjarjen dhe raportet me ish-bashkëshorten.
Ai ka pranuar hapur se ka përdorur fjalë të rënda kërcënuese ndaj saj.
“Është e vërtet se unë Arlindës i kam thënë fjalët ‘kom met mbyt, kom met ngre zhag’, mirëpo të njëjtat ia kam thënë sepse djali im është ndjerë i rrezikuar, sepse nëna e tij ka gënjyer, ka shkuar tek familja ime në Deçan dhe djali im ndihet gjithmonë i frikësuar nga nëna e tij… Tjetër nuk kam çka të shtojë veçse unë e pranoj që kam kryer kanosje, e kam bërë vetëm për shkak të djalit tim,” ka deklaruar Sylaj para prokurorit.
I dyshuari ka pretenduar se ndarja e tyre ka ndodhur rreth një vit më parë, ndonëse nuk janë divorcuar ende ligjërisht për shkak se ai jeton në ShBA dhe ajo në Kosovë.
Ai ka hedhur akuza ndaj ish-bashkëshortes, duke pretenduar se ajo “qëllimin e ka pasur te paratë” dhe se i ka marrë pasaportën e Kosovës:
“Ajo më ka marrë edhe pasaportat dhe kjo tregon tendencën e saj për të më sjellë në këtë situatë ku jam sot. Pasaportën e Amerikës e kam, por të Kosovës ma ka marrë ajo,” ka shtuar ai.
Në mesin e provave materiale të administruara në lëndë është edhe një CD me disa video-incizime.
Në këto sekuenca, i dyshuari dëgjohet duke përdorur fjalor të ashpër dhe sharje me tone kërcënuese.
“Ku të don djali me shku me ndejt o welcome, djalin nuk guxon njeri i lem me shti në nonen e as baben… 900 000 nona ti q… t’djegi me temel…”, teksa i mituri shprehet se nuk dëshiron të shkojë.
Sipas raportit informues të policisë, më 23 korrik 2026, Jeton Sylaj kishte dërguar djalin 12-vjeçar në stacionin policor në Pejë, me pretendimin se fëmija kërkonte urdhër mbrojtjeje ndaj nënës së tij.
Megjithatë, pas intervistimit të të miturit në prani të Qendrës për Punë Sociale, mbrojtësit të viktimave dhe psikologes:
Vlerësimi i prokurorit kujdestar: Është konstatuar se nga pretendimet e paraqitura në emër të fëmijës nuk ka elemente të veprës penale nga ana e nënës.
Pavarësisht pretendimeve të Jeton Sylajt se veprimet e tij erdhën si reagim mbrojtës ndaj fëmijës, organi i akuzës thekson se kanosja e shprehur ndaj të dëmtuarës ka përmbushur elementet ligjore të nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas vlerësimit ligjor të Prokurorisë, kanosja ka qenë serioze, e drejtpërdrejtë dhe e aftë të shkaktojë ndjenjë frike, pasigurie dhe ankthi te viktima, rrethana këto që mbështeten si në pranimin e pjesshëm të të dyshuarit, ashtu edhe në dëshmitë dhe provat materiale të bashkëngjitura në lëndë. /Lajmi.net
The post Jeton Sylaj para Prokurorisë: Është e vërtet se unë Arlindës i kam thënë fjalët ‘kom met mbyt, kom met ngre zhag’ – e kam bërë për shkak të djalit appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



