Kamionët hynin plot, dilnin bosh – zbulohet skema milionëshe e kontrabandës në Maqedoni

Një skemë e gjerë e kontrabandës së cigareve është zbuluar në Maqedoninë e Veriut në kuadër të operacionit “Filter”. Në shtatë raste dyshohet se janë futur ilegalisht rreth 69,35 milionë cigare, duke shmangur detyrime ndaj shtetit në vlerë mbi 377 milionë denarë, ose më shumë se 6 milionë euro.
Sipas Drejtorisë së Doganave, kamionë të ngarkuar me cigare hynin në vend përmes pikës kufitare Bogorodicë, zyrtarisht si mallra në tranzit. Mirëpo, ngarkesa dyshohet se shkarkohej në territorin e vendit, ndërsa kamionët vazhdonin drejt Tabanocit të zbrazët.
Në sistemin doganor, megjithatë, procedurat regjistroheshin sikur kamionët të kishin dalë nga vendi së bashku me ngarkesën.
Në raste të tjera, dyshohet se kamionët me cigare hynin përmes Bogorodicës pa u evidentuar fare nga zyrtarët doganorë dhe policorë. Cigaret më pas shkarkoheshin pa dokumentacionin përkatës dhe pa paguar detyrimet ligjore.
Hetimi përfshin shtatë raste të periudhës 1 janar – 30 qershor 2024, me gjithsej 69.350.000 cigare të dyshuara se janë hedhur ilegalisht në treg.
Më 23 shtator 2026, Dogana, në koordinim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka paraqitur kallëzime penale ndaj tre personave juridikë dhe 18 personave fizikë.
Mes të dyshuarve janë edhe tre policë dhe katër doganierë. Veprat për të cilat ekzistojnë dyshime përfshijnë kontrabandën, mashtrimin doganor, keqpërdorimin e pozitës zyrtare, mashtrimin kompjuterik dhe shmangien e pagesës së akcizës.
Në vazhdim të operacionit janë kryer kontrolle në 23 lokacione, ndërsa deri tani janë arrestuar 13 persona – katër doganierë, dy policë, dy shoferë dhe pesë persona të tjerë.
Drejtori i Doganave, Boban Nikollovski, deklaroi se hetimet tregojnë se në skemën e dyshuar nuk kanë qenë të përfshirë vetëm operatorë ekonomikë, por edhe persona zyrtarë që kishin për detyrë pikërisht parandalimin e veprimeve të tilla.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i personave të përfshirë dhe i kallëzimeve penale mund të rritet. Në zbardhjen e rastit kanë ndihmuar edhe administratat doganore të Greqisë dhe Serbisë.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



