Komuna e Prishtinës del me shpjegim për kolonat: E kuptojmë plotësisht frustrimin tuaj, dje pati aksidente e punime

Komuna e Prishtinës sot doli me një njoftim për punimet që po bëhen në disa rrugë të kryeqytetit e që ishin ndër shkaqet e kolonëve të mëdha me të cilat u përballen dje qytetarët. Për këtë, Komuna thotë se “e kupton” frustrimin e qytetarëve, por shtoi se për ato kolone ndikuan edhe një numër aksidentesh

Komuna e Prishtinës del me shpjegim për kolonat: E kuptojmë plotësisht frustrimin tuaj, dje pati aksidente e punime

Komuna e Prishtinës sot doli me një njoftim për punimet që po bëhen në disa rrugë të kryeqytetit e që ishin ndër shkaqet e kolonëve të mëdha me të cilat u përballen dje qytetarët.

Për këtë, Komuna thotë se “e kupton” frustrimin e qytetarëve, por shtoi se për ato kolone ndikuan edhe një numër aksidentesh që ndodhën dje.

“Dje, hyrjet dhe rrugët e Prishtinës kanë qenë të mbingarkuara dhe e kuptojmë plotësisht frustrimin dhe indinjatën tuaj. Me përmirësimin e motit, kemi nisur disa ndërhyrje afatshkurtra rehabilituese në zona të ndryshme të qytetit, për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe rritur sigurinë për të gjithë”, tha Komuna.

Komuna tha se “çdo ndërhyrje që po bëjmë është në shërbim të një Kryeqyteti më të sigurt, më të qetë dhe më funksional”.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Dje, hyrjet dhe rrugët e Prishtinës kanë qenë të mbingarkuara dhe e kuptojmë plotësisht frustrimin dhe indinjatën tuaj.

Me përmirësimin e motit, kemi nisur disa ndërhyrje afatshkurtra rehabilituese në zona të ndryshme të qytetit, për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe rritur sigurinë për të gjithë:

‍Punimet në rrugë përfshijnë:

• Rr. Malush Kosova – në proces rehabilitimi, e hapur me pengesa në qarkullim

• Rr. Don Shtjefën Kurti – e mbyllur për qarkullim

• Rr. Nimete Progonati – e mbyllur për qarkullim

• Rr. Agim Ramadani – ndërhyrje për rregullimin e pjesëve të dëmtuara

Punime në rrjetin e kanalizimit:

• Në rrugën B/C, ku përkohësisht është mbyllur një korsi në dalje nga rruga B dhe një korsi në hyrje të rrugës C.

Por njëkohësisht kemi pasur edhe situata të paparashikuara. Nga ora 16:00 e tutje, në kryeqytet janë regjistruar 7 aksidente trafiku, në këto lokacione:

• Rrethi i Flamurit

• Rr. Ibrahim Lutfiu

• Rr. Isa Kastrati

• Rr. Xheladin Rekaliu

• Rr. Vicianum

• Rr. Bill Klinton

• Rr. Ramiz Cernica

Të gjitha këto kanë ndikuar në krijimin e ngarkesave dhe vonesave të shumta në qarkullim.

E kuptojmë shqetësimin tuaj por çdo ndërhyrje që po bëjmë është në shërbim të një Kryeqyteti më të sigurt, më të qetë dhe më funksional.

Faleminderit për mirëkuptimin dhe durimin tuaj!