Kosova vendos sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë

Qeveria e Kosovës ka miratuar plotësim-ndryshimet e vendimit të qeverisë të vitit 2022 kur nisi agresioni rus në Ukrainë për zbatimin e vendimit të Këshillit të Bashkimit Europian për sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se ky vendim po merret për t’u linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian.
Para Qeverisë, këtë pikë e prezantoi ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, i cili foli edhe për përmbajtjen e këtij vendimi.
“Ky vendim parashikon përjashtime të përkohshme për masa kufizuese për përmbylljen e kontratave ekzistuese dhe sigurimin e komponentëve kritikë industrialë gjatë kalimit prej burimeve alternative të furnizimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës propozon për shqyrtim dhe miratim propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të qeverisë. Qëllimi është linjëzimi i vazhdueshëm i politikës së jashtme të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian”.
Konjufca tha se marrja e këtij vendimi konfirmon “përkushtimin tonë për promovimin e paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe garanton vazhdimësinë e bashkëpunimit të ngushtë me BE’në për ruajtjen e plotë të zbatueshmërisë së ligjeve dhe konventave europiane e ndërkombëtare në Republikën e Kosovës”.
Ai shtoi se vendimi merret në bazën kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



