U.D. Kryeprokurorja e sapoemëruar ishte prokurore në rastin e vrasjes makabre të Donjeta Pajazitajt, reagon ashpër vëllai i të ndjerës

Caktimi i prokurores Valbona Dishaj-Haxhosaj si ushtruese e detyrës së Kryeprokurores në Prokurorinë Themelore të Pejës ka nxitur reagimin e menjëhershëm të familjarëve të Donjeta Pajazitajt.
Emërimi i saj erdhi pas suspendimit të kryeprokurores Lumturije Vuçetaj, masë kjo e ndërmarrë pas lëshimeve dhe dështimeve institucionale në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra mizorisht nga ish-kunati i saj.
Mirëpo, ky vendim është kundërshtuar ashpër nga Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjeta Pajazitajt. Përmes një reagimi ai ka shprehur revoltën ndaj ngritjes në detyrë të Dishaj-Haxhosajt, duke kujtuar se ajo kishte qenë prokurore pikërisht në dosjen e motrës së tij, një proces që, edhe pas shumë vitesh nga vrasja makabre, ka mbetur pa drejtësi përfundimtare.
“Në vend që të bëhet thirrje për #Drejtësi, ky vendim po e thellon edhe më shumë mosbesimin tim ndaj sistemit të drejtësisë! Si është e mundur që Valbona Disha Haxhosaj të emërohet në krye të prokurorisë, ndërsa rasti i motrës sime, Donjeta Pajazitaj, edhe pas 11 vjetësh ende nuk ka marrë një epilog përfundimtar?”, ka shkruar Pajazitaj.
Ai ka thënë se kush duhet të japë përgjegjësi për tërë këto vite.
“Kush do të japë përgjigje për këto vite pritjeje? Kush do të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar rasti i Donjetës? Kërkoj transparencë, llogaridhënie dhe sqarime konkrete nga institucionet përkatëse. Familja ime ka të drejtë të dijë se çfarë ka ndodhur me rastin e motrës sime.”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



