KURTI: PRIZREN–TETOVË DUHET TË PËRSHPEJTOHET, KOSOVA DHE RMV AFROJNË HAPAT PËR PROJEKTET E PËRBASHKËTA

KURTI: PRIZREN–TETOVË DUHET TË PËRSHPEJTOHET, KOSOVA DHE RMV AFROJNË HAPAT PËR PROJEKTET E PËRBASHKËTA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kurti bëri të ditur se takimi me Mickoskin vjen vetëm katër javë pas pjesëmarrjes së përbashkët në nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë.

Në takimin në New York, dy kryeministrat diskutuan për bashkëpunimin në infrastrukturë dhe energji, me theks të veçantë në avancimin e projekteve të përbashkëta.

Kurti tha se ka theksuar rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për tunelin Prizren–Tetovë, duke e cilësuar atë si një projekt me rëndësi të veçantë për qytetarët e të dyja vendeve, por edhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomive përkatëse.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe zbatimi i marrëveshjes për thëngjillin. Sipas Kurtit, të dyja palët u pajtuan të vazhdojnë punën për realizimin e këtyre projekteve, të cilat synojnë të forcojnë ndërlidhjen rajonale dhe sigurinë energjetike.

“Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveçse fqinje, janë shtete mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta për paqe, siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik”, deklaroi Kurti.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.