Kurti:Falënderoj koalicionin shqiptar për kontributin në autostradën Shkup-Bllacë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e fillimit të punimeve për autostradën Shkup–Bllacë, ka vlerësuar rëndësinë e projektit për lidhjen infrastrukturore dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kurti tha se autostrada, e cila përfshin pesë tunele, tetë ura dhe katër galeri, do ta forcojë ndjeshëm lidhjen mes dy vendeve dhe do ta lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave.
Ai theksoi se projekti është pjesë e rrjetit evropian TEN-T dhe se përmes Kosovës e afron Shkupin me Prishtinën dhe më tej me rrjetet dhe tregjet evropiane.
Në fjalën e tij, Kurti përmendi edhe projektet e tjera infrastrukturore që synojnë lidhjen e Kosovës me Maqedoninë e Veriut, përfshirë Linjën 10 hekurudhore dhe projektin Prizren–Tetovë përmes tunelit.
Në fund, kryeministri kosovar falënderoi Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë kontribuuesit për nisjen e projektit, ndërsa një falënderim të veçantë ia adresoi koalicionit të partive shqiptare, për të cilin tha se ka dhënë kontribut në realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“Një falënderim i veçantë shkon edhe për koalicionin e partive shqiptare, për kontributin e tyre në punë të mira e të mbara në shërbim të qytetarëve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, deklaroi Kurti.
Punimet për autostradën Shkup–Bllacë nisën sot, në një projekt të cilësuar me rëndësi strategjike për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Kosovën dhe korridoret evropiane. (INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



