Rrahja e të rinjëve, VLEN: Rasti po zbardhet, do të ketë përgjegjësi, kush janë të përfshirë

Rrahja e të rinjëve, VLEN: Rasti po zbardhet, do të ketë përgjegjësi, kush janë të përfshirë

Komunikata e VLEN

VLEN shpreh shqetësimin e thellë për rastin e dy të rinjve nga Saraji, të cilët kanë denoncuar keqtrajtim nga ana e zyrtarëve policorë. Ndajmë shqetësimin dhe dhimbjen e familjeve të tyre dhe besojmë se çdo qytetar meriton trajtim adekuat, mbrojtje dhe drejtësi.

Si parti politike shqiptare në pushtet, VLEN është interesuar në mënyrë aktive për rastin dhe e ka ndjekur nga afër zhvillimin e tij. Qëndrimi ynë është i qartë: dhuna nuk mund të arsyetohet me uniformë, ndërsa çdo tejkalim i kompetencave dhe çdo shkelje e ligjit duhet të marrë përgjigjen e merituar.

Nëse hetimi konstaton se zyrtarët policorë kanë tejkaluar kompetencat e tyre, ata duhet të mbajnë përgjegjësi, në përputhje me ligjin.

E vlerësojmë faktin që rasti është vënë nën hetim nga mekanizmat përkatës të kontrollit të brendshëm dhe kërkojmë që procedura të zhvillohet me seriozitet, paanshmëri dhe transparencë, deri në sqarimin e plotë të të gjitha rrethanave. Po ashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë që, në bazë të provave dhe gjetjeve të hetimit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore.

Është për keqardhje që një rast kaq serioz, opozita po tenton t’i japë ngjyrim nacionalist dhe ta shndërrojë në mjet për nxitjen e tensioneve ndëretnike.

Sipas informacioneve, zyrtarët policorë të dyshuar për përfshirje në rast u përkasin tri etnive të ndryshme. Kjo e bën edhe më të qartë se përgjegjësia duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve, provave dhe veprimeve konkrete të secilit person, e jo mbi përkatësinë etnike.

Të drejtat e qytetarëve, dinjiteti njerëzor dhe zbatimi i ligjit nuk kanë përkatësi etnike. VLEN e dënon çdo formë të dhunës, pavarësisht se kush e ushtron dhe ndaj kujt ushtrohet. Po aq të papranueshme janë përpjekjet për ta shfrytëzuar këtë rast për të nxitur urrejtje, përçarje dhe tensione mes qytetarëve.

Familja dhe dy të rinjtë meritojnë që e vërteta të dalë në shesh dhe drejtësia të vihet në vend. Për VLEN-in, ky rast nuk duhet të jetë objekt i betejave politike, por një çështje serioze që kërkon përgjegjësi institucionale, respektim të ligjit dhe besim në drejtësi.

Hetimi duhet të shkojë deri në fund. E vërteta duhet të zbardhet dhe, nëse konstatohen shkelje, përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi, pa përjashtime dhe pa dallime.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.