BE gati marrëveshjen me SHBA, pritet të ulen tarifat për mallrat amerikane

Bashkimi Europian po përgatitet të reduktojë tarifat e importit për produktet amerikane, si një përpjekje për të shmangur rritjen e tarifave tregtare të presidentit Trump. Ky i fundit kishte kërcënuar me rritjen e tyre nga 15% që janë aktualisht ne 25% për mallrat europiane, nëse marrëveshja nuk arrihet para 4 korrikut
Bashkimi Europian pritet të ulë tarifat e importit për mallrat amerikane në përputhje me marrëveshjen e arritur me Uashingtonin vitin e kaluar. Lëvizja vjen si një mënyrë për të shmangur kërcënimin e presidentit amerikan Donald Trump për tarifa shumë të larta për mallrat europiane.
Sipas kushteve të marrëveshjes, Brukseli ka rënë dakord të heqë detyrimet e importit për mallrat industriale amerikane dhe të japë akses preferencial për produktet bujqësore dhe detare të Shteteve të Bashkuara. Në këmbim, Uashingtoni do të vendosë tarifa vetëm 15% për shumicën e produkteve europiane.
Negociatorët nga parlamenti dhe këshilli Europian pritet të takohen të martën në raundin përfundimtar të bisedimeve për finalizimin e marrëveshjes.
Trump ka deklaruar se do të vendosë tarifa shumë të larta për mallrat nga Bashkimi Europian, përfshirë makinat nëse unioni nuk do të zbatojë angazhimet e marrëveshjes deri më 4 korrik, duke kërcënuar se do ti rrisë tarifat në 25% nga 15% që janë aktualisht.
Nëse marrëveshja arrihet, pritet votimi dhe miratimi përfundimtar nga Parlamenti Europian në mes të qershorit. Ligjvënësit e Bashkimit Europian ndërkohë duan të marrin në konsideratë edhe mundësinë për ta pezulluar marrëveshjen nëse Shtetet e Bashkuara e shkelin atë përmes një klauzole të veçantë.
Burimi i lajmit: opinion.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



