Spasovski: Drejtori Gajdov u punësua si shqiptar, ndërsa drejtor u bë si maqedonas

Koordinatori i Grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, bëri akuza serioze në adresë të drejtorit të Agjencisë për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik, Petar Gajdov, duke vënë në pikëpyetje kredibilitetin e këtij institucioni.
Sipas pretendimeve, Gajdov ka manipuluar me përkatësinë e tij etnike për përparim në karrierë. Konkretisht, thuhet se gjatë punësimit në vitin 2020 në pozitën ndihmës-drejtues – një vend i paraparë për kandidat të nacionalitetit shqiptar – ai është deklaruar si Shqiptar. Gjatë kandidimit për funksionin e drejtorit, ai ka paraqitur një deklaratë të noterizuar, në të cilën deklarohet si maqedonas.
Për më tepër, janë paraqitur dyshime për veprime të paligjshme dhe falsifikim dokumentesh gjatë zhvillimit të një procedure kundërvajtëse ndaj Marija Mitevës, zëdhënëse aktuale e Qeverisë (ish-zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së).
Pretendohet se vendimi për ndërprerjen e procedurës ndaj Mitevës është marrë në një mbledhje të diskutueshme të Komisionit për Kundërvajtje.
Konkretisht, vihet në dukje fakti se procesverbali i mbledhjes mban një datë më të hershme se momenti kur Mitevës i ishte dërguar njoftimi për të dhënë deklaratën e saj lidhur me rastin.
Për ta bërë situatën edhe më kontroverse, anëtarët e Komisionit, emrat e të cilëve figurojnë në procesverbal, kanë dorëzuar deklarata me shkrim, në të cilat pretendojnë se nuk kanë marrë pjesë fare në mbledhjen në fjalë.
Këto pretendime ngrenë pikëpyetje lidhur me rregullsinë e procedurave në Agjenci, ndërsa është kërkuar përgjegjësi për dëmtimin e reputacionit të institucionit, i cili duhet të jetë garantues i transparencës.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



