Mbrëmja e madhe e AARC në Gotham Hall: Si u bënë bashkë politika, historia dhe elita e diasporës

Mbrëmja e madhe e AARC në Gotham Hall: Si u bënë bashkë politika, historia dhe elita e diasporës

Naser Pajaziti/Nju Jork

Në zemër të Manhattan-it, aty ku arkitektura monumentale e Gotham Hall i bën jehonë vendimeve që lëvizin botën, Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) mbajti Galanë e Dytë Vjetore.

Në një javë kur Nju-Jorku u shndërrua në kryeqendrën e diplomacisë botërore gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, komuniteti shqiptaro-amerikan ngriti siparin e një mbrëmjeje që kapërceu kufijtë e një ceremonie protokollare, duke u kthyer në një manifestim të fuqisë, unitetit dhe vizionit gjeopolitik.

Në një botë të trazuar nga sfidat gjeopolitike, mesazhi i parë erdhi përmes besimit dhe bashkëjetesës, ku lutja e përbashkët e Atë Viktor Gjergjit dhe Imam Edin Gjonit rikujtoi bazamentin shpirtëror mbi të cilin ngrihet kombi.

Udhëheqësit e AARC-së, Eli Rusi si Kryetar i Bordit dhe Martin Vulaj si President, hapën siparin e fjalimeve duke artikuluar qartë misionin e ri të diasporës: kalimin nga një roje e historisë në një faktor aktiv e institucional në Uashington.

Rusi dhe Vulaj theksuan se organizata ekziston për të ndërtuar ura të qëndrueshme mes qeverive, komuniteteve dhe gjeneratave, duke mbështetur aspiratat e Kosovës drejt NATO-s, ndërgjegjësimin për sfidat në Maqedoninë e Veriut dhe rinovimin e Caucus-it të Çështjeve Shqiptare në Kongres.


Përreth tryezave të Gotham Hall u mblodh një elitë drejtuese që rrallë shihet në të njëjtën hapësirë.

Ish-Komandanti i Lartë i Aleancës së NATO-s, Gjenerali Wesley K. Clark ishte ngjarja e veçantë e mbrëmjes. Ai u nderua me çmimin e lartë “Kalorësi i Skënderbeut” për kurajën dhe udhëheqjen e tij në mbrojtjen e lirisë së Kosovës.

Mes duartrokitjeve të stuhishme, Gjenerali Clark kujtoi lidhjen e tij të pashkëputur me popullin shqiptar, duke deklaruar se liria e Kosovës mbetet e lidhur me përpjekjet e vitit 1999 dhe se SHBA do të mbetet gjithmonë krah tij.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi integrimin evropian si boshtin e vetëm strategjik për paqen dhe zhvillimin rajon. Ai theksoi shqetësimin për dënimet e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, vlerësoi diasporën si shtyllën kurrizore të shtetndërtimit dhe kohezionit kombëtar. Ai vlerësoi aleancën me SHBA.

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nënvizoi aleancën e përhershme e të patjetërsueshme të popullit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski si i ftuar në këtë mbrëmje u fokusua te rëndësia e bashkëpunimit, tërheqjen e investimeve të diasporës dhe ofrimin e kushteve për investime.


I pranishëm në këtë mbrëmje si përfaqësues i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriur, Izet Mexhiti në cilësinë e bashkëkryetarit të VLEN nënvizoi rëndësinë e veçantë të këtij takimi për të ardhmen e shqiptarëve dhe përforcimin e lidhjeve me aleatin tonë më të madh strategjik.


Mbështetja nga Capitol Hill u konfirmua edhe përmes mesazhit me video të Senatorit Cory Booker, si dhe pranisë së Kongresmenëve Nikema Williams e Tom Suozzi, të cilët rikonfirmuan fuqizimin e zërit shqiptar në vendimmarrjen amerikane.
Momenti më sentimental dhe historik i mbrëmjes u shënua me ndarjen e çmimeve që mbartin emrat e dy figurave më madhore të kombësisë sonë.

Ndërkohë, çmimi i paqes “Nënë Tereza” iu dorëzua veprimtarit të njohur Bruno Selimaj. I lindur në Guci dhe emigruar në SHBA në vitin 1971, Selimaj u vlerësua për dekada të tëra shërbimi, bujarie dhe mbështetjeje ndaj kulturës e kauzës kombëtare në Nju-Jork. I prekuri nga vlerësimi, Selimaj shprehu se ky çmim e obligon të vazhdojë me përkushtim jetësor ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe bashkimit të komunitetit.

Sipari artistik i mbrëmjes u pasurua nga performanca e rafinuar e këngëtares Mariza Ikonomi, e shoqëruar nga virtuozi në kitarë Faton Macula, si dhe nga projeksioni i veçantë i filmit “Soldier of God – The Untold Story of Kastrioti”. Pesha institucionale e ngjarjes u vulos përfundimisht me dorëzimin e Proklamatës Zyrtare të Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut nga Asambleisti Nader J. Sayegh.

Gala e Dytë Vjetore e AARC-së konfirmoi se diaspora shqiptaro-amerikane nuk është thjesht një urë nostalgjike me vendlindjen, por një makineri e fuqishme diplomatike, e organizuar dhe e gatshme për të mbrojtur interesat kombëtare me dinjitet në kryeqendrën e politikës botërore.(INA)

 


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.