Mexhiti aludon në hyrjen e Selës në qeveri, Sela: Jo krah atyre që duan të na zhbëjnë të drejtat si popull 

Zëvendëskryeministri në largim për në krye të Çairit, njëri nga liderët e VLEN-it në qeveri, Izet Mexhiti nuk e ka mohuar që Ziadin Sela nga AKI-ja opozitare, me subjektin e tij politik t’i bashkohen qeverisë. Megjithatë, një gjë e tillë u mohua menjëherë nga Sela, raporton Portalb.mk.  Mexhiti mbrëmë në TV21 tha se pritet të […]

Mexhiti aludon në hyrjen e Selës në qeveri, Sela: Jo krah atyre që duan të na zhbëjnë të drejtat si popull 
Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portlb.mk (Ziadin Sela dhe Izet Mexhiti, foto të marra nga profilet e tyre në Facebook)

Zëvendëskryeministri në largim për në krye të Çairit, njëri nga liderët e VLEN-it në qeveri, Izet Mexhiti nuk e ka mohuar që Ziadin Sela nga AKI-ja opozitare, me subjektin e tij politik t’i bashkohen qeverisë. Megjithatë, një gjë e tillë u mohua menjëherë nga Sela, raporton Portalb.mk. 

Mexhiti mbrëmë në TV21 tha se pritet të shpërbëhet AKI-ja opozitare dhe të ketë lëvizje të reja. Ndërsa nuk e mohoi që Ziadin Sela me subjektin e tij politik të bëhen pjesë e qeverisë. 

“Nuk e mohoj. Mund të edhe të jetë. Komunikojmë. Aq shumë është përzier skena politike, shumë turbulenca janë bo derisa janë përpiluar dy tabora. Edhe mendoj që do ketë ende turbulenca derisa t vijmë te ajo që duhet”, tha Mexhiti. 

Por, Ziadin Sela menjëherë reagoi ndaj kësaj deklarate duke e mohuar hyrjen e tyre në qeveri.

“Aq shumë është përzier skena politike tha Izeti e nuk e din me cilin ka komunikuar… E ngatërruar është gënjeshtra Izet, propaganda dhe e pavërteta. E vërteta është çdoherë e pastër e pa përzier, është vetëm një e s’mund të jetë dy e as më shumë. Dhe kjo e vërtetë tingëllon kështu Izet! Ti në komunikim me mua jo. Unë pjesë e qeverisë jo. Unë në krah të atyre që duan të na zhbëjnë të drejtat si popull jo”, tha Sela. 

Në ndërkohë në opinion dhe mediat maqedonase ka filluar të aludohet se pas zgjedhjeve lokale Lëvizja Besa e Bilall Kasamit do të del nga Qeveria dhe do të zëvendësohet nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës e cila thuhet të jetë regjistruar si parti e re.

Megjithatë, këto lëvizje politike mbeten të pakonfirmuara.

Nga ekipi i Kasamit të pyetur nga Portalb.mk për këto çështje, thanë se nuk i komentojnë spekulimet.