Ministri Hasani në Ankara, falënderon homologun turk për mbështetjen ndaj Kosovës

Ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani e përshkroi të enjten Turqinë si një nga partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë, duke vënë në dukje bashkëpunimin e fortë në energji dhe pozicionin strategjik të Shqipërisë si një qendër transporti. Në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan në Ankara, Hasani e

Ministri Hasani në Ankara, falënderon homologun turk për mbështetjen ndaj Kosovës

Ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani e përshkroi të enjten Turqinë si një nga partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë, duke vënë në dukje bashkëpunimin e fortë në energji dhe pozicionin strategjik të Shqipërisë si një qendër transporti.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan në Ankara, Hasani e falënderoi Turqinë për mbështetjen e dhënë Kosovës.

“Dua të theksoj mbështetjen e Turqisë për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur”, tha Hasani mes tjerash, raporton media në gjuhën turke “anews”.

Ndër të tjera, ministri Hasani vuri në dukje se Shqipëria dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje partneriteti strategjik vitin e kaluar, duke forcuar lidhjet në shumë sektorë.

Bashkëpunimi ekonomik ishte fokusi kryesor i bisedimeve të sotme, tha ai, duke shtuar se ndërkohë që qindra kompani turke operojnë në Shqipëri, potenciali i plotë i partneritetit të tyre ekonomik mbetet i pashfrytëzuar.

Qëllimi, tha ai, është rritja e tregtisë dypalëshe përtej 2 miliardë dollarëve.

Ndërsa Shqipëria bëhet një destinacion turistik në rritje, Hasani tha se interesi nga vizitorët turq po rritet.

Ai falënderoi gjithashtu presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, duke e cilësuar atë “një pikë referimi të rëndësishme kulturore dhe fetare për komunitetin tonë mysliman”.

Hasani tha se të dy vendet rikonfirmuan angazhimin e tyre për të punuar së bashku në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm shqiptar deklaroi gjithashtu se Shqipëria mbështet një armëpushim në Gaza dhe vlerësoi rolin e Turqisë si një lojtar kryesor diplomatik në përpjekjet për paqe.

Hasani përfundoi duke thënë se roli dhe prania e Turqisë kanë qenë thelbësore në formësimin e Ballkanit gjatë 30 viteve të fundit.