Nita Grubi rikthehet në skenën e Tiranës me një recital brilant pianistik

Në Hollin Qendror të Universitetit të Arteve në Tiranë, sot (e enjte), me fillim nga ora 19:00, do të mbahet koncerti recital i pianistes së re Nita Grubi. Me një ndjeshmëri të veçantë artistike dhe teknikë të përkryer, Grubi sjell një program të përzgjedhur me kujdes, që udhëton përmes epokave dhe stileve të ndryshme të […]

Nita Grubi rikthehet në skenën e Tiranës me një recital brilant pianistik
Afishja e koncertit. Foto: Nita Grubi

Në Hollin Qendror të Universitetit të Arteve në Tiranë, sot (e enjte), me fillim nga ora 19:00, do të mbahet koncerti recital i pianistes së re Nita Grubi. Me një ndjeshmëri të veçantë artistike dhe teknikë të përkryer, Grubi sjell një program të përzgjedhur me kujdes, që udhëton përmes epokave dhe stileve të ndryshme të muzikës klasike botërore, shkruan Portalb.mk.

Ky recital përfaqëson një udhëtim muzikor përmes epokave të mëdha të historisë së muzikës klasike, ku Grubi do të interpretojë vepra nga disa prej kompozitorëve më të shquar botërorë:

  • J.S. Bach-Prelude and Fugue in G major, BWV 884
    Një krijim brilant barok, që ndërthur harmoninë dhe strukturën e përsosur me teknikën virtuozë të instrumentit.
  • L.V. Beethoven-Piano Sonata Op.31 No.2 (“The Tempest”)
    Një nga sonatat më dramatike të Beethovenit, e cila shpalos emocion, tension dhe thellësi filozofike.
  • Debussy-L’isle Joyeuse, L.106
    Një vepër plot ngjyra dhe dritë, ku impresionizmi francez shfaqet në formën më poetike dhe delikate.
  • Chopin-Ballade No.1, Op.23
    Një nga kompozimet më të fuqishme të romantizmit, që bashkon pasionin, ndjeshmërinë dhe virtuozitetin.

Nita Grubi për Portalb.mk tha se ndjenjat janë të bukura dhe të forta, ashtu si përgjegjësia që mbart ky koncert për atë. Pas shumë vitesh, rikthehet para publikut të Tiranës me emocion, nostalgji dhe përkushtim të plotë ndaj muzikës.

“Ndjenjat janë shumë të mira dhe pozitive, sa është edhe përgjegjësia e këtij koncerti për mua! Gjithmonë duke ju përmbajtur programit dhe peshës se tij. Fakti që pas një kohe shumë të gjatë paraqitem te publiku i Tiranës. Kam shumë kujtime të bukura, kam njohur gjithashtu edhe njerëz të mrekullueshëm gjatë kohës kur bëja konkurset për piano, në Epta dhe gara të ndryshme. Emocionet para koncertit të finalistëve, dhe si fituese e garave, nuk shlyhen aq kollaj. Pastaj zyshet e liceut si Nadjezhda Porodini dhe bija e sopranos Jorgjie Truja, pianistja Takuina Adami, të cilat pa hezitim më linin klasën për të studiuar.. Tani sigurisht që me nostalgji e kujtoj atë kohe, duke më rritur përgjegjësinë dhe peshën e këtij koncerti. E sigurisht edhe fakti që do të zhvillohet në sht;pinë e dytë të të gjithë pedagogeve dhe studentëve, në Universitetin e Arteve në Fakultetin e Muzikës e bën këtë koncert edhe me të veçantë për mua”, tha Grubi.

Ky koncert është një mundësi për adhuruesit e muzikës klasike që të përjetojnë një mbrëmje të veçantë arti dhe interpretimi të thellë emocional.

Publiku pritet të udhëtojë përmes një repertori që pasqyron bukurinë dhe kompleksitetin e gjuhës pianistike, në interpretimin e ndjeshëm dhe plot karakter të Nita Grubit.