Vala e të nxehtit do t’i kushtojë ekonomisë zvicerane 400 milionë franga

Vala e të nxehtit do t’i kushtojë ekonomisë zvicerane 400 milionë franga

Vera e nxehtë e vitit 2026 shkaktoi dëme ekonomike në vlerën 400 milionë franga në Zvicër.

Sipas një studimi të kompanisë së sigurimit të kredisë “Allianz Trade”, dukuritë e motit mund të sjellin kosto të larta edhe vitin e ardhshëm.

Edhe produktiviteti i punës pësoi rënie si pasojë e të nxehtit ekstrem të kësaj vere; u deshën pushime më të gjata dhe pati mungesa në punë për shkak të sëmundjeve.

Sipas “Allianz Trade”, humbjet ekonomike arrijnë në 400 milionë franga zvicerane, shifër që korrespondon me rreth 0,05% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Kompania e sigurimit të kredisë po bashkëpunon me “Allianz” për të analizuar ndikimin e dukurive ekstreme të motit në ekonomi.

Duke filluar nga tani, gjetjet do të publikohen çdo vit në studimin “Allianz Climate Risk Tracker”.

“Ndryshimet klimatike po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një faktor ekonomik,” tha Jan Möllmann, Drejtor Ekzekutiv i “Allianz Trade” në Zvicër. Pas verës së nxehtë, fenomeni tjetër klimatik – “El Niño”, i cili është tashmë shumë i fuqishëm – është në prag, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Kjo mund t’i kushtojë ekonomisë globale rreth 451 miliardë dollarë në vitin 2027. Kina, Shtetet e Bashkuara dhe India do të mbanin së bashku barrën e pothuajse 60% të këtyre humbjeve. Për Evropën, përfshirë Zvicrën, parashikohet një humbje neto prej rreth 21 miliardë eurosh.

Studimi arrin në përfundimin se përshtatja dhe gatishmëria janë thelbësore për qëndrueshmërinë ekonomike. Vendet që kanë të vendosura sisteme të hershme paralajmërimi, harta rreziku dhe përgjegjësi të përcaktuara qartë, janë më të përgatitura përballë rreziqeve klimatike.

The post Vala e të nxehtit do t’i kushtojë ekonomisë zvicerane 400 milionë franga appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.