OPERACIONI „FILTER“ – AKSION I MADH I DREJTORISË SË DOGANAVE

Mustafa Dauti
Zbulohet një sistem kompleks për kontrabandën e sasive të mëdha të cigareve – të përfshira kompani, persona fizikë, si dhe zyrtarë policorë e doganorë.
Drejtoria e Doganave, përmes Sektorit për Kontroll dhe Hetime dhe Departamentit për Hetime, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe në bashkëpunim me Byronë për Siguri Publike (BSP), ka zhvilluar një hetim të gjerë ndaj një sistemi të organizuar për kontrabandën e cigareve dhe shmangien e pagesës së detyrimeve ndaj shtetit, në vlerë prej mbi 377 milionë denarësh ose mbi 6 milionë euro.
Hetimi përfshin raste të ndodhura gjatë periudhës 01.01.2024–30.06.2024, ku janë përfshirë kompani shpedicionere, transporti dhe importi, persona fizikë, si dhe zyrtarë policorë dhe doganorë.
Nga 7 rastet e zbuluara, në 3 raste kamionë të ngarkuar me cigare hynin në Maqedoninë e Veriut përmes PKK Bogorodicë në procedurë tranziti. Cigaret shkarkoheshin ilegalisht në territorin e shtetit, ndërsa kamionët largoheshin bosh përmes PKK Tabanoc. Megjithatë, në sistemin doganor regjistrohej sikur kamionët kishin dalë nga shteti të ngarkuar me cigare.
Në 4 rastet e tjera, hyrja e kamionëve të ngarkuar me cigare përmes Bogorodicës nuk ishte evidentuar as nga zyrtarët doganorë dhe as nga ata policorë. Cigaret më pas shkarkoheshin në territorin e shtetit pa dokumentacionin përkatës, pa u futur në procedurën e duhur doganore dhe pa paguar detyrimet ligjore.
Në të gjitha 7 rastet janë kontrabanduar gjithsej 69.350.000 cigare, të cilat janë futur ilegalisht në qarkullim të lirë.
Më 23.09.2026, Drejtoria e Doganave ka paraqitur kallëzime penale kundër 3 personave juridikë dhe 18 personave fizikë, përfshirë 3 zyrtarë policorë dhe 4 zyrtarë doganorë. Kallëzimet përfshijnë veprat penale „Kontrabandë“ (neni 278), „Mashtrim doganor“ (neni 278-a), „Punë e pandërgjegjshme në shërbim“ dhe „Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare“ (neni 353), „Mashtrim kompjuterik“ (neni 251), si dhe „Shmangie e pagesës së akcizës“ (neni 279 i Ligjit për Akcizat).
Pas kallëzimeve penale janë lëshuar urdhra për kontroll në 23 lokacione. Kontrollet janë kryer në mëngjesin e 24.09.2026, në koordinim me Prokurorinë dhe me asistencën e Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë MPB-së – BSP.
Deri tani janë arrestuar 13 persona, përkatësisht 4 zyrtarë doganorë, 2 zyrtarë policorë, 2 shoferë dhe 5 persona të tjerë fizikë.
Hetimet dhe veprimet e mëtejshme vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rasteve dhe përcaktimin e përgjegjësisë së të gjithë personave të përfshirë. Sipas të dhënave të deritanishme, pritet që numri i personave të përfshirë dhe i kallëzimeve penale të rritet.
Drejtoria e Doganave deklaron se do të vazhdojë me kontrolle dhe hetime intensive kundër krimit të organizuar, kontrabandës, sjelljeve të paligjshme dhe shmangies së detyrimeve ndaj shtetit.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



