Opozita: Për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet punë e jo letra

Kërkesa e Kosovës për të marrë statusin e mysafirit special u tërhoq dje nga agjenda e Komitetit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KE). Kjo kërkesë ishte planifikuar të shqyrtohej në takimin e djeshëm, por u tërhoq në momentin e fillimit të seancës, duke lënë pa përgjigje pritshmëritë për avancimin e statusit

Opozita: Për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet punë e jo letra

Kërkesa e Kosovës për të marrë statusin e mysafirit special u tërhoq dje nga agjenda e Komitetit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KE). Kjo kërkesë ishte planifikuar të shqyrtohej në takimin e djeshëm, por u tërhoq në momentin e fillimit të seancës, duke lënë pa përgjigje pritshmëritë për avancimin e statusit të Kosovës në këto Institucione.

Asambleja Parlamentare ka mundësinë të ofrojë statusin e mysafirit të veçantë për parlamentet kombëtare të vendeve që nuk janë anëtarë të Këshillit të Evropës, por që kanë shprehur interesin për anëtarësim. Ky status lejon që anëtarët e delegacioneve të mysafirëve special të marrin pjesë në punimet e Asamblesë, megjithatë, ata nuk kanë të drejtë vote, çka e kufizon ndikimin e tyre në proceset vendimmarrëse. Edhe pse nuk mund të votojnë, ata kanë mundësinë të mbajnë fjalime në Asamble, por kjo është e mundur vetëm me miratimin e presidentit të Asamblesë.

Për më tepër, Kosova nuk arriti të anëtarësohej në Këshillin e Evropës në fillim të vitit 2024, një situatë që u ndikua nga kushtet e vendosura për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Kjo pengesë tregon sfidat e vazhdueshme që përballet vendi në përpjekjet për integrim evropian dhe përfaqësim të plotë në institucionet ndërkombëtare, duke theksuar nevojën për dialog dhe zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e brendshme dhe marrëdhëniet me Serbinë, raporton Front Online.

Ish-deputeti i PDK-së: Lobimi nuk bëhet me letra por me realizimin e kërkesave që i ka KE-ja

Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, është deklaruar ndaj përpjekjes së Kosovës për të siguruar statusin e mysafirit  special në Këshillin e Evropës, dhe është treguar skeptik ndaj këtij veprimi. Sipas tij, ky status nuk u takon më shumë vizitorëve apo studentëve që ndjekin seancat, sesa një shteti që synon anëtarësimin.

‘’Statusin e mysafirit nuk e kuptoj sepse në kohën kur unë kam drejtuar Delegacionin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ne kemi një status të veçantë kemi status të përhershëm që marrin pjesë si vëzhgues në Asamblenë Parlamentarë të Këshillit të Evropës. Statusi I mysafirit të veçantë është për student e njerëz që shkojnë ta vizitojnë këshillin e Evropës dhe këtë status Kosova e ka pasur në kapat e prë kur ka shkuar si mysafirit për ti dëgjuar seancat’’, tha Haliti për Front Online.

Haliti e vuri theksin te mungesa e një qasjeje serioze nga institucionet e Kosovës në këtë proces. Ai kritikoi delegacionin që ka bërë kërkesën, duke thënë se ata nuk janë treguar të aftë për ta përfaqësuar Kosovën siç duhet.

“Delegacioni po mendon se duhet të dërgohet një letër dhe letrën e shqyrtojnë menjëherë dhe marrin ndonjë veprim, problemi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill është çështje që ka të bëj shumë me të drejtat e njeriut dhe përkushtimi për ta arritur këtë status duhet të jetë i madh sidomos i Institucioneve të Kosovës’’, deklaroi Haliti.

Haliti thotë se fajtore këtu është qeveria si dhe delegacioni “I paaftë” sepse sipas tij, për anëtarësimin në Këshillin e Evropës nuk mjaftojnë letrat, por kërkohet përmbushja e kushteve të vendosura

‘’Unë konsideroj që fajtore është Qeveria e Kosovës dhe së dyti delegacioni ose ata që e kanë bërë kërkesën janë të paaftë për të shkruar kërkesa dhe për ta përfaqësuar Kosovës dhe e dyta lobimi nuk bëhet me letra por me realizimin e kërkesave që i ka Këshilli i Evropës për Kosovën’’, tha Haliti.

Ish diplomati Arifi: Me Kurtin kryeministër dhe Donikën ministre të Jashtme Kosova kurrë lajm të mirë s’do të marrë

Ish-diplomati Avni Arifi ka komentuar tërheqjen e kërkesës së Kosovës për statusin e mysafirit special në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar këtë si një tjetër dështim të politikës së jashtme të vendit.

Sipas tij, ky zhvillim është një fitore e qartë për Serbinë, e cila e ka festuar këtë si një sukses.

‘’Një humbje e re në politikën e jashtme dhe një fitore për Serbinë e cila edhe e shënoj dhe e festoj’’, tha ish diplomati për Front Online.

Arifi e drejtoi kritikën e tij ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Jashtme Donika Gërvalla, duke i fajësuar për situatën e Kosovës në politikën e jashtme. Sipas tij, gjatë udhëheqjes së tyre, Kosova nuk do të marrë asnjë lajm të mirë nga bota

“Me  Albin Kurtin Kryeministër dhe Donika Gërvallën ministre e Jashtme, Kosova kurrë lajm të mirë s’do të marrë nga bota’’, deklaroi Arifi.

Ai theksoi se Qeveria aktuale ka shpenzuar të gjithë besimin dhe kredibilitetin që Kosova kishte në arenën ndërkombëtare

‘’I kanë harxhuar kreditë e veta dhe çdo dite qe ata janë ne poste është nga një humbje shtesë për Kosovën’’, përfundoi Arifi.

Muhaxhiri: Naive të pritet avancim i Kosovës në arenën ndërkombëtare me këtë qasje të lidershipit kosovar

Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike,  e ka konsideruar si naive çdo pritshmëri për avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare me qasjen aktuale të lidershipit kosovar.

‘’Është jashtëzakonisht naive të pritet ndonjë avancim i Kosovës në arenën ndërkombëtare me këtë qasje të lidershipit Kosovar’’, tha Muhaxhiri për Front Online.

Sipas Muhaxhirit, Kosova ka dëmtuar rëndë marrëdhëniet me aleatët e saj tradicionalë, veçanërisht me vendet më të fuqishme perëndimore.

‘’Për fat të keq Kosova i ka humbur aleatët i ka dëmtuar lidhjet tradicionale që i ka pasur me shtetet  të fuqishme perëndimore’’, tha Muhaxhiri.

Ai tha se Kosova tashmë njihet si njëra ndër bllokueset e procesit të dialogut si dhe pa pastrimin këtij imazhi negativ ai nuk pret hapa pozitivë në arenën ndërkombëtare.

‘’Nuk është çudi që është refuzuar kërkesë për mysafir special sepse Kosova është tashmë identifikuar si njëra ndër bllokuesit e procesit të dialogut kështu që pa përmirësimin e këtij imazhi negativ që ka Kosova nuk pres ndonjë hap në arenën ndërkombëtare’’, Përfundoi Muhaxhiri. / Front Online /