Pedagogët shqiptarë e kanë një mundësi për kërkim shkencor në nivel ndërkombëtar
Kërkimi shkencor në Shqipëri mbetet ende një sfidë e universiteteve shqiptare, teksa raportet e huaja e vendosin Shqipërinë në nivele të dobëta. Mungesa e financimit dhe projekteve kanë pamundësuar akademikët shqiptarë të kryejnë kërkim të nivelit ndërkombëtar shkencor. Por një program i ri, READ, mundëson për pedagogët shqiptarë kryerjen e projekteve të kërkimit në bashkëpunim […] The post Pedagogët shqiptarë e kanë një mundësi për kërkim shkencor në nivel ndërkombëtar appeared first on Ditar.al.

Kërkimi shkencor në Shqipëri mbetet ende një sfidë e universiteteve shqiptare, teksa raportet e huaja e vendosin Shqipërinë në nivele të dobëta. Mungesa e financimit dhe projekteve kanë pamundësuar akademikët shqiptarë të kryejnë kërkim të nivelit ndërkombëtar shkencor. Por një program i ri, READ, mundëson për pedagogët shqiptarë kryerjen e projekteve të kërkimit në bashkëpunim me kërkues shqiptarë nga diaspora. Këtë vit është hapur thirrja për aplikime në datën 2 Tetor 2023, falë mundësisë së krijuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe projekti READ.
Kërkimi shkencor në universitetet shqiptare vijon të mbetet një sfidë kombëtare teksa Shqipëria bën përparime të ngadalëta. Sipas raportit të Scimago Journal (SJR), Shqipëria ka pasur 1,023 kërkime shkencore ndërkombëtare dhe renditet e 95-ta sipas H-index, për vitin 2022. Raporti vlerëson se numri i citimeve shkencore për Shqipërinë është 939, duke pasur një përmirësim të lehtë nga viti 2021 me 94 citime më shumë. Me këto rezultate, Shqipëria lë pas vetëm Malin e Zi në rajon. Referuar të njëjtit raport, Serbia mban vendin e parë në rajon për kërkim shkencor për numrin e publikimeve dhe citimeve ndërkombëtare duke u renditur në vendin e 59.
Arsyet e këtij rezultati janë të shumta, ndërsa rritja e kërkimit shkencor kërkon financim dhe mundësi. Sipas të dhënave të UNESCO-s, vlerësohet se vetëm 0.2 % e PBB-së shqiptare shkon për kërkim shkencor. Nga ana tjetër, universitetet shqiptare nuk kanë pasur mundësitë e duhura për bashkëpunime në nivel ndërkombëtar që do mundësonte projekte kërkimore bashkëkohore.
“Duket paradoksale, sepse pavarësisht migrimit masiv të shqiptarëve në pjesë të tjera të botës, institucionet arsimore shqiptare mbeten relativisht të izoluara në krahasim me institucionet në vendet e tjera”, thotë për Media Ditarin, kërkuesi dhe pedagogu në Universitetin e Harvardit, Ermal Frashëri.
Por prej dy vitesh, një projekt i dedikuar në rritjen e kapacitetit shkencor të universiteteve shqiptare ka krijuar një mundësi për pedagogët dhe kërkuesit shqiptarë. Projekti READ, i krijuar dhe zbatuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, u ka dhënë shansin dhjetëra kërkuesve shkencorë shqiptarë që të zhvillojnë projektet e tyre kërkimore në bashkëpunim me kërkues të tjerë shqiptarë nga diaspora.
Kështu, programi hapi thirrjen e tretë për aplikime në datën 2 tetor 2023 në këto katër drejtime:
1. kërkim shkencor i përbashkët për publikime në revista me faktor të lartë impakti;
2. mbikëqyrje të doktoraturave në Shqipëri me mentorë nga Diaspora Shkencore;
3. zhvillim e përmirësim kurrikule dhe hartimi i programeve të përbashkëta;
4. bashkë-mësimdhënie.
Projekti synon të ndikojë në rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor në Shqipëri nëpërmjet angazhimit të Diasporës Akademike Shqiptare nga vendet e OECD-së, kryesisht SHBA dhe vendet e Evropës Perëndimore për të kontribuar për periudha afat-shkurtra nga 1 deri 6 muaj në vendin e origjinës. Gjithashtu, projekti ka parashikuar ofrimin e granteve kërkimore për të incentivuar dhe mbështetur akademikët shqiptarë dhe universitetet në vend.
Një prej përfituesve të projektit nga viti i kaluar është profesori i asociuar, Alban Tartari, nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, i cili në bashkëpunim me profesoreshën Lindita Camaj, e cila punon dhe jep mësim në universitetin e Hjuston-it, SHBA, implementuan projektin kërkimor mbi ndikimin e zyrave të shtypit dhe komunikimit në edicionet e lajmeve të medias shqiptare.
“Programi READ është një mundësi e artë për akademinë shqiptare, për profesorët në Shqipëri, për të bashkëpunuar me kolegët bashkëkombas të cilët punojnë prej vitesh në vendet e BE-së, SHBA apo Kanada. Për mua ishte mundësi e artë të bashkëpunoja me kolegen time profesoreshë Lindita Camaj nga Universiteti i Njustonit në SHBA për të studiuar median shqiptare”, u shpreh Tartari kur prezantoi gjetjet e kërkimit në Universitetin e Tiranës.
Pedagogu shqiptar në Universitetin e Harvardit, Ermal Frashëri e sheh të nevojshme rritjen e programeve të shkembimit për të përfituar kërkuesit në universitetet shqiptare. Sipas tij, program READ mund të bëjë diferencën për të sjellë transformimin kaq të nevojshëm në shkencën shqiptare
“Ekziston nevoja që institucionet arsimore në Shqipëri të hapen duke përfshirë në radhët e tyre pedagogë të huaj ose shqiptarë të diasporës, për të zgjeruar hartimin e programeve të shkëmbimit si dhe për të rritur lëvizshmërinë e pedagogëve dhe studentëve. READ mund të luajë një rol thelbësor në këtë ndryshim paradigme duke mundësuar një transformim shumë të nevojshëm të peizazhit arsimor”, thotë me tej Frashëri.
Programi READ hapi aplikimet në datën 2 tetor duke i dhënë mundësi çdo akademiku shqiptar të kryejë një projekt kërkimor në nivel ndërkombëtar në bashkëpunim me një akademik nga diaspora.
The post Pedagogët shqiptarë e kanë një mundësi për kërkim shkencor në nivel ndërkombëtar appeared first on Ditar.al.