“Perandoria” mediatike nga Maqedonia e Veriut në SHBA

Nga një adoleshent që drejtonte një blog për basketboll dhe fitonte rreth 400 dollarë në ditë, deri te krijimi i një media amerikane “anti mainstream” me vlerë qindra mijëra dollarë. Kështu e ka përshkruar veten në një intervistë 27-vjeçari nga Velesi, Rumen Naumovski, raporton Radio Evropa e Lirë. Emri i tij këto ditë është përmendur […]

“Perandoria” mediatike nga Maqedonia e Veriut në SHBA
Liqeni Mlladost, Veles. Foto nga Portalb.mk

Nga një adoleshent që drejtonte një blog për basketboll dhe fitonte rreth 400 dollarë në ditë, deri te krijimi i një media amerikane “anti mainstream” me vlerë qindra mijëra dollarë. Kështu e ka përshkruar veten në një intervistë 27-vjeçari nga Velesi, Rumen Naumovski, raporton Radio Evropa e Lirë.

Emri i tij këto ditë është përmendur në mediat amerikane si pronari i faqes Resist the Mainstream, ndërsa është zbuluar se në vitin 2022 ai ka dhuruar në mënyrë të paligjshme para për një kandidat për Kongresin amerikan.

Në opinionin publik në Maqedoninë e Veriut, Naumovski nuk është përmendur më parë. Por, në mediat amerikane, emri i tij lidhet me grupin e adoleshentëve nga Velesi që në vitin 2016, siç kanë shkruar disa media ndërkombëtare, fitonin “shuma të mëdha parash” nga faqet e internetit që shpërndanin dezinformata për zgjedhjet presidenciale amerikane.

Rumen Naumovski në vitin 2022 kishte dhuruar në mënyrë të paligjshme mbi 3 mijë dollarë për fushatën e kandidatit për Kongresin amerikan, Roth Watkins.

Donacioni i Naumovskit është i paligjshëm sepse shtetasve të huaj, sipas ligjeve amerikane, u ndalohet të dhurojnë para për fushata politike.

“Nuk kam asnjë koment”, ishte përgjigjja e shkurtër që Naumovski dha, pasi Radio Evropa e Lirë i kërkoi që të dëgjonte versionin e tij të ngjarjes. Pas kësaj përgjigje të shkurtër, ai e mbylli telefonin.

Por, kur u pyet se a pret të përballet me sanksione pas zbulimit se kishte dhuruar para në mënyrë të paligjshme për një kandidat për Kongresin amerikan, në një mesazh dërguar në Viber ai dërgoi një përgjigje që e kishte publikuar në platformën Telegram më 2022.

“Bëra një donacion online për një fushatë politike në SHBA, pa e kuptuar se kjo ishte e ndaluar për mua, si person që ka vizë amerikane, por jo kartë të gjelbër. Disa minuta pasi e kuptova, kontaktova me fushatën, e cila menjëherë m’i ktheu paratë. E dua Amerikën dhe kurrë nuk do të shkelja me qëllim asnjë rregull. Jeto dhe mëso!”, ishte përgjigjja e Rumen Naumovskit.

Sipas dokumentit në të cilin i referohet mediumi amerikan Open Secrets, ai i kishte dhënë paratë për fushatën e kandidatit për kongresist Watkins në shkurt të vitit 2022. Në atë dokument, si adresë e donatorit Naumovski figuron adresa e agjencisë së marketingut Raww Digital në Shën Petersburg, Floridë.

Por, në dokumentet themeluese të agjencisë amerikane të marketingut, është regjistruar adresa në qytetin e tij të lindjes, Veles në Maqedoni të Veriut. Kjo tregon lidhjen mes tij dhe firmës së marketingut në Floridë. Investimin në SHBA, Naumovski e kishte regjistruar në Regjistrin Qendror të Maqedonisë së Veriut në shtator të vitit 2022. Ai e themeloi agjencinë e marketingut në SHBA si person fizik, me një kapital fillestar prej 100 mijë dollarësh.

Naumovski është themelues i kompanisë së marketingut Raww Digital dhe i faqes së internetit Resist the Mainstream, e cila e përshkruan veten si “një kompani mediatike për njerëzit që e kanë humbur besimin te mediat tradicionale”. Media, në të cilën, siç pohoi ai, ka investuar mbi 145 mijë dollarë dhe punëson 11 amerikanë, Naumovski e menaxhon nga shtëpia e tij në Maqedoninë e Veriut, pasi siç shpjegoi nuk ka marrë vizën amerikane të biznesit E-2, që u mundëson investitorëve hyrjen në SHBA për të zhvilluar biznesin e tyre.

Për mënyrën se si e filloi biznesin e tij në SHBA, Naumovski ka folur në një podkast me Ken LaKort, një amerikan që publikon video në YouTube dhe ish-drejtor ekzekutiv në Fox News, të cilit për një periudhë i kishte ndihmuar në zhvillimin e profileve në Instagram për produktet mediatike të LaKort.

“I thash vetes nuk do të shkoj në universitet. Nëse mund të fitoja 400 dollarë në ditë online kur isha 16 vjeç, nuk kam nevojë të shkoj në universitet, mund të fitoj para online, apo jo”, u shpreh ai.

Naumovski nga Velesi vazhdon të menaxhojë median Resist the Mainstream dhe agjencinë e marketingut Raww Digital, edhe pse, siç ka pohuar ai, kurrë nuk ka qenë fizikisht në SHBA. Përmes këtyre platformave digjitale ai vazhdon të ndërtojë prani mediatike në hapësirën konservatore amerikane.