Përfaqësuesit e biznesit kundër shtrenjtimit të rrymës: Shtrenjtohen produktet, dekurajohen investitorët e huaj
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) deri ka gjysma e muajit mars 2025 pritet të marrë vendim nëse energjia elektrike në Kosovë do të shtrenjtohet për 35për qind, apo jo, ashtu siç kanë kërkuar kompaninë e sektorit të energjisë, KEDS, KESCO dhe KOSTT. Por, nëse kërkesa e këtyre të fundit do të miratohet, atëherë ekonomitë
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) deri ka gjysma e muajit mars 2025 pritet të marrë vendim nëse energjia elektrike në Kosovë do të shtrenjtohet për 35për qind, apo jo, ashtu siç kanë kërkuar kompaninë e sektorit të energjisë, KEDS, KESCO dhe KOSTT.
Por, nëse kërkesa e këtyre të fundit do të miratohet, atëherë ekonomitë familjare dhe bizneset do të goditen rëndë, me ç’rast shumë artikuj do të shtrenjtohen.
rtikujt elementarë në Kosovë janë shtrenjtuar për mbi 60% në katër vitet e fundit, përderisa një shtrenjtim i serishëm i rrymës prej 1 prillit 2025 do të nxiste valë të re zinxhirore të shtrenjtimit të këtyre arukujve.
Përndryshe, tarifat e energjisë elektrike në Kosovë janë shtrenjtuar për 115% në tri vitet e fundit.
Kryetari i Odës Ekonomike: Shtrenjtimi i rrymës, shtrenjton produktet kosovare
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka theksuar për FrontOnline se nëse shtrenjtohet energjia elektrike prej 35 për qind, ashtu siç po paralajmërohet, atëherë do të ketë shtrenjtim të çmimit të produkteve, gjë që do ta varfëroj edhe më tepër xhepin e konsumatorit kosovar.
Ai ka paralajmëruar se kjo rritje do të krijojë probleme të mëdha, sidomos për bizneset që eksportojnë dhe kanë kontrata me çmime fikse me partnerë të jashtëm. Sipas tij, ndryshimi i papritur i çmimeve do të vështirësojë konkurrencën e tyre në tregun ndërkombëtar.
Rafuna ka përmendur edhe sfidat me të cilat tashmë po përballen disa sektorë të ekonomisë, si gastronomia, ndërtimtaria dhe industria tekstile, të cilat kanë shënuar rënie të qarkullimit dhe kërkesës. Një rritje e mëtejshme e çmimit të energjisë, sipas tij, do ta përkeqësonte edhe më shumë këtë situatë.
‘’Do të ketë rënie të qarkullimit dhe do të ketë vështirësi të mëdha. Edha ashtu bizneset kanë shumë sfida e vështirësi të funksionojnë, shembull kemi gastronominë që iu ka rënë qarkullimi, pastaj te ndërtimtaria ka rënë kërkesa për blerje, pastaj tek tekstili ka rënë qarkullimi, ndërsa një rritje e tillë e energjisë elektrike normalisht se do t’i shtrenjtojë të gjitha produktet’’, potencoi kryetari I OEK.
Sipas përfaqësuesit të biznesve kosovare edhe periudha e zgjedhur për këtë shtrenjtim të rrymës është e paarsyeshme, pasi që, sipas tij, nuk është logjike kjo të ndodhë në pranverë dhe verë, kur konsumi i energjisë është më i ulët. Rafuna theksuar se nëse nuk intervenohet me rritje të pagave ose ndonjë formë tjetër mbështetjeje do të jetë problem.
‘’Në qoftë se nuk intervenohet me rritje të pagave ose nëse nuk gjendet një mënyrë se si me e zbutë këtë rritje të çmimit të energjisë elektrike do të kemi shumë problem. Kërkesa jonë konsiston në atë se ne po hyjmë kah pranvera dhe nuk e shohim të nevojshme që të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, ka logjikë nëse kjo rritje bëhet dimrit, mirëpo jo në sezonin e pranverës e verës’’, përfundoi Rafuna.
Shahini: Shtrenjtimi i energjisë elektrike tremb investitorët e huaj
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka shprehur shqetësimin e tij për paralajmërimet mbi rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se një vendim i tillë nuk do të ishte i mirë për ekonominë e vendit.
‘’Paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike mund të themi se nuk janë të mira, por nuk do të thotë se do të ndodhë një shtrenjtim i tillë ‘’, tha Shahini për FrontOnline.
Sipas tij, nëse kjo rritje ndodhë, çmimi i energjisë në Kosovë mund të tejkalojë atë të disa vendeve të Bashkimit Evropian bile edhe me vende si Bullgaria, Rumania dhe Kroacia.
‘’Prandaj nëse kjo do të ndodhte, energjia elektrike në Kosovë do të ishte aq e lartë sa do të krahasohej me vendet e Bashkimit Evropian bile ndoshta edhe më shumë se disa vende si Bullgaria,Rumania e Kroacia’’, tha kryetari i AKB –së.
Shahini ka theksuar se energjia elektrike është një produkt kyç për ekonominë dhe familjet kosovare dhe duhet të mbrohet me çdo kusht si një vlerë stimuluese për investitorët e huaj. Ai ka paralajmëruar se tejkalimi i çmimit mesatar të energjisë në Ballkanin Perëndimor do ta bënte Kosovën më pak konkurruese dhe më pak tërheqëse për investime të reja.
‘’Energjia elektrike është produkti më i kërkuar në ekonomin e familjet e Kosovës dhe kjo do të duhej me çdo kusht të mbrohet si vlerë stimuluese për investitorët e huaj që vinë ne Kosovë dhe kjo mos ta tejkalojë limitin mesatar të çmimit në Ballkanin Perëndimor’’, tha Shahini.
Një rritje e tillë, sipas Shahinit, do të shkaktonte zinxhir të pasojave negative, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Ai ka paralajmëruar gjithashtu se shumë biznese që kanë energjinë si burimin kryesor të operimit do të përballen me vështirësi të mëdha për të mbijetuar në treg, gjë që mund të çojë deri në mbylljen e disa prej tyre për shkak të pamundësisë për të përballuar konkurrencën.
Azemi: Punëtorëve të sektorit privat gjysma e pagës do t’u shkojë për pagesën e rrymës
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rritjen e mundshme të çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se kjo do të ketë pasoja serioze për punonjësit e sektorit privat në Kosovë.
Ai ka pohuar se një pjesë e konsiderueshme e punonjësve të këtij sektori, të cilët janë të punësuar nga kompanitë private që punojnë me kontrata me shtetin, po përballen me kushte të vështira ekonomike. Sipas Azemit, shumë prej këtyre punonjësve kanë paga shumë të ulëta, që shpesh arrijnë vetëm 300 euro, dhe për këtë arsye, një rritje e çmimit të energjisë elektrike do të ketë ndikim të menjëhershëm dhe shkatërrues në buxhetet e familjeve të tyre.
Azemi ka theksuar se kjo situatë do të përkeqësohet edhe më shumë për ata punonjës që marrin pagë më të ulët. Për këta punonjës, 50% e pagës do të shkojë për pagesën e energjisë elektrike, çka do të rëndojë akoma më shumë gjendjen e tyre financiare.
‘’E them me përgjegjësi të plotë se edhe sot në Prishtinë ka punëtorë që paguhen me pagë 250 euro dhe tani një shtrenjtim i tille do të jetë problem sepse 50% e pagës së këtyre punëtorëve do të shkojë vetëm për rrymë ‘’, deklaroi Azemi.
Azemi deklaroi se një rritje e tillë e çmimit të energjisë elektrike është një shtysë për largimin e të rinjve nga Kosova, një fenomen që tashmë është bërë shqetësim i madh për shoqërinë dhe ekonominë e vendit.