“Nuk e përkrah”, deputeti Hoti i LDK-së del kundër kandidaturës së Sejdiut për president

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do ta përkrahë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Hoti ka sqaruar se vendimi i tij nuk lidhet me arsye personale, por me një parim politik dhe institucional.
Sipas tij, presidenti i Republikës duhet të jetë një figurë unifikuese, e aftë të ndërtojë konsensus përtej interesave partiake dhe të përfaqësojë interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Hoti vlerëson se kandidatura aktuale nuk e përmbush këtë kriter.
“Njëkohësisht, kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj. Përkundrazi, mënyra se si është imponuar kjo zgjidhje krijon përshtypjen se LDK ka penguar edhe kandidatura të tjera politike, vetëm për t’i hapur rrugë një kandidature që, në thelb, është po ashtu politike. LDK duhet të ketë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së”, ka thënë ai.
Hoti ka theksuar se, sipas tij, kjo nuk lidhet me individë të caktuar, por me parimet politike, identitetin e LDK-së dhe përgjegjësinë ndaj votuesve të saj.
Ndërkohë, Bekim Sejdiu ka qenë gjyqtar raportues në rastin në të cilin Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti në vitin 2020.
The post “Nuk e përkrah”, deputeti Hoti i LDK-së del kundër kandidaturës së Sejdiut për president appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



