Profesorë me vite pune, por pa vendime: ligji i ri i lë jashtë punonjësit e arsimit

Editorial – Agjencia e lajmeve INA
Për çudi, në Maqedoninë e Veriut, punonjësit e arsimit vazhdojnë të trajtohen në mënyrë të pa dinjitetshme, ndërsa nismat e reja ligjore nuk premtojnë ndryshim të statusit të tyre. Mësuesit, arsimtarët dhe profesorët duket se nuk janë prioritet.
Në Universitetin e Tetovës ka dhjetëra, madje qindra profesorë dhe ligjërues që punojnë me kontrata, pa vendime të rregullta pune. Një pjesë e tyre angazhohen për më shumë se një dekadë, mbajnë ligjërata, organizojnë kolokuiume, zhvillojnë provime dhe mentorojnë tema diplomash e punimesh shkencore. Megjithatë, në fund të muajit, disa prej tyre paguhen me vetëm 12 mijë denarë, madje vetëm për gjashtë muaj gjatë vitit.
Ky nuk është thjesht problem i një kontrate pune. Është çështje dinjiteti profesional, sigurie ekonomike dhe vlerësimi institucional të njerëzve që kontribuojnë në edukimin e gjeneratave të reja. Me kontrata pune ka edhe shumë mësues të arsimit fillor dhe të mesëm, të cilët poashtu duhet të përfshihen në ligjin e ri.
Në gjendje të njejtë janë edhe ligjërues në Universitetin “Nënë Tereza”, ku po ashtu është odiseada e njejtë.
Projektligji i dorëzuar në Kuvend për transformimin e marrëdhënieve të punës, i cili parasheh që personat e angazhuar prej vitesh në institucionet shtetërore përmes kontratave të ndryshme të mund të fitojnë status të rregullt pune me kohë të pacaktuar, nuk e përfshin sektorin e arsimit.
Në projekligj në mënyrë decisive thuhet se: Nga zbatimi përjashtohen, ndër të tjera, shoqëritë aksionare, shkollat fillore dhe të mesme, institucionet e arsimit të lartë dhe shkencore, Ministria e Punëve të Brendshme, shërbimet e sigurisë dhe institucione të tjera të përcaktuara me projektligj.
Kjo e bën nismën selektive që në pikënisje, pasi nuk krijon mundësi të barabarta për të gjithë punonjësit e institucioneve publike që prej vitesh kontribuojnë në funksionimin e tyre.
Nuk mund të flasim për reforma në arsim, cilësi universitare dhe standarde evropiane, ndërkohë që ata që prodhojnë dije mbeten pa siguri në vendin e punës dhe pa dinjitetin që u takon.
Arsimi nuk mund të jetë prioritet vetëm në fjalime dhe strategji. Ai duhet të jetë prioritet edhe në ligje, buxhete dhe trajtimin e njerëzve që punojnë në të. (INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



