Prokuroria kërkon paraburgim për Gani Gecin

Prokuroria kërkon paraburgim për Gani Gecin

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-deputetit Gani Geci nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila tha se seanca dëgjimore pritet të mbahet sot nga ora 13:00.

Seanca pritet të mbahet tek gjyqtari i procedurës paraprake, Albert Haliti.

Prokuroria një ditë më parë njoftoi se Geci u ndalua për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘’Kanosja’’, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, dyshimet fillestare janë se i dyshuari Geci ka kanosur gazetarin Mehmetaj për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij. Mehmetaj u intervistua si i dëmtuar.

“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme. Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes”, thuhej në njoftim.

Kujtojmë se Mehmetaj i ftuar në emisionin “Debat Plus” tha se pas publikimit të një postimi lidhur me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, nga familja Geci i kanë kërkuar ta fshijë postimin ose ta ndryshojë përmbajtjen. Ai tha se pas refuzimit, ka lajmëruar rastin në Polici për kanosje.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.