Putini kërkon katër rajone të Ukrainës, por fitorja mund të kërkojë vite

Donetsku nën kontrollin e Moskës? “Një përparim”, thonë disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa Trump po ushtron presion mbi Zelenskyn. “T’ia japësh do të ishte si të prisje një krah pa marrë asgjë në këmbim”, kundërshton një diplomat europian. Fronti i ngrirë Krahasuar me prillin, kur Putini refuzoi propozimin për të ngrirë armiqësitë përgjatë […]

Putini kërkon katër rajone të Ukrainës, por fitorja mund të kërkojë vite

Donetsku nën kontrollin e Moskës? “Një përparim”, thonë disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa Trump po ushtron presion mbi Zelenskyn. “T’ia japësh do të ishte si të prisje një krah pa marrë asgjë në këmbim”, kundërshton një diplomat europian.

Fronti i ngrirë

Krahasuar me prillin, kur Putini refuzoi propozimin për të ngrirë armiqësitë përgjatë vijës së frontit dhe kërkoi kontroll të plotë mbi Krimenë si dhe mbi rajonet Donetsk, Lugansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, megjithëse nuk i ka pushtuar kurrë të gjitha, kërkesat e tij janë zbutur disi. Por si nga samiti i Anchorage mes presidentëve amerikan dhe rus në mes të gushtit, ashtu edhe nga takimi ballë për ballë mes liderit të Kievit dhe atij të Shtëpisë së Bardhë në fund të shtatorit, shumë pak ka ndryshuar në fushën e betejës.

Asnjë fitore e dukshme për Moskën

Ofensiva verore ruse po shkon drejt fundit dhe “cari” nuk ka arritur asnjë nga objektivat e shpallura. Pokrovsku, që është nën kërcënim prej më shumë se një viti, nuk ka rënë. Kramatorsku, Kostjantynivka, Kupiansku dhe madje edhe Chasiv Yar janë ende nën kontrollin ukrainas.
Donetsku ka një përqindje më të lartë banorësh me prirje pro-ruse sesa rajonet e tjera, por nuk duhet ngatërruar rusofonia me rusofilinë: edhe pse shumë flasin rusisht, kjo nuk do të thotë se mbështesin politikisht Kremlinin.

Humbje të mëdha, fitime të pakta

Që prej fillimit të ofensivës në janar të këtij viti, humbjet ruse janë llogaritur nga Kievi në 640 mijë deri në 877 mijë ushtarë, mes të cilëve 137–228 mijë të vrarë. Në mes të tetorit, bilanci ishte rritur me gati 60%, duke arritur në 1,438,000 humbje, përfshirë 190–480 mijë të vrarë.

Të dhënat janë ukrainase dhe, rrjedhimisht, të njëanshme. Por edhe nëse shifra ulet ndjeshëm, humbjet nuk kanë sjellë përfitime territoriale. Sipas një llogaritjeje të The Economist, me ritmin aktual të luftimeve, Rusisë do t’i duheshin deri në qershor 2030 për të pushtuar plotësisht katër rajonet që pretendon.

Njerëz dhe teknologji

Përveç kohës, vendimtare janë edhe burimet njerëzore. Edhe nëse përpiqemi të shohim situatën nga këndvështrimi rus, përmbysja e linjave mbrojtëse ukrainase duket e pamundur. Mbikëqyrja e vazhdueshme me dronë dhe armët e sakta me rreze të gjatë veprimi kanë krijuar një ekuilibër të ri ushtarak. Megjithatë, një rregull mbetet e pandryshuar: ai që sulmon duhet të ketë tri herë më shumë forca se mbrojtësi. Dhe megjithëse rusët përdorin njësi të vogla luftarake në zonat e zjarrit, për të ruajtur pozicionet u nevojiten trupa dhe mjete shtesë.

Sigurisht, “lodhja nga lufta” dhe mungesa e burrave janë një problem për Kievin. Por janë plagë që mund të prekin edhe Moskën. Në fillim të ofensivës, shumë rusë u joshën nga shpërblime të majme për t’u rekrutuar, dhe fushata e rekrutimit e Kremlinit tejkalonte atë ukrainase me 10-15 mijë trupa në muaj.

Megjithatë, edhe për një regjim autoritar, fshehja e arkivoleve dhe varreve nuk është e lehtë. Përdorimi i mercenarëve, si në rastin e Wagnerit dhe Prigozhinit, është po aq i ndërlikuar. Edhe Katerina e Madhe, kur sundonte, u detyrua të bënte lëshime për të mbajtur nën kontroll kozakët.

Efekti bumerang

Nga llogoret te fabrikat. Prej pothuajse katër vitesh, ekonomia ukrainase ka vuajtur nën sulmet me raketa të Rusisë, por ka arritur të reagojë duke prodhuar vetë raketa dhe dronë të lirë, madje duke i ofruar ato edhe vendeve evropiane.

Ekonomia ruse është më e madhe se ajo e Ukrainës, dhe nuk është “tigër prej letre” siç e përshkroi Trump në Nju Jork, por as aq e fuqishme sa e paraqiti ai gjatë takimit me Zelenskyn. Sepse edhe nëse Kina vazhdon ta mbështesë, është e pasigurt nëse do ta bëjë pafundësisht për një luftë që po zgjatet.

Në terma prodhimi, Rusia mbetet shumë më e dobët se aleatët e Ukrainës.

Europa nuk dëshiron të armatoset e as të hyjë direkt në luftë. Por nëse detyrohet ta bëjë, lufta hibride e Moskës mund të kthehet në një bumerang, që do të godasë vetë Kremlinin, me ose pa raketa Tomahawk.