Qeveria zhvillon mbledhje elektronike, ja çka u miratua

Qeveria zhvillon mbledhje elektronike, ja çka u miratua

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar të martën, më 6 tetor 2026, mbledhjen e pestë elektronike, në të cilën ka marrë një sërë vendimesh dhe ka miratuar disa projektligje e programe.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka:

“Miratuar Programin e Projektligjeve të Qeverisë për vitet 2026 – 2028.

Miratuar Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë. Ky projektligj rregullon organizimin dhe zbatimin e Regjistrimit të Bujqësisë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përcaktuar autoritetin kompetent, organet dhe strukturat e përfshira, procedurat dhe metodologjinë për mbledhjen, përpunimin, ruajtjen, mbrojtjen dhe publikimin e të dhënave statistikore.

Miratuar vendimin për themelimin e Komisionit Qendror për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në të mirat materiale nga ndikimi i fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent.

Miratuar vendimin për themelimin e Komisionit për përzgjedhjen e tre kandidatëve për anëtarë të jashtëm të Bordit të Pavarur për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit të Tregut.

Miratuar Koncept-dokumentin për Fushën e Akreditimit. Dokumenti kontribuon në zhvillimin e infrastrukturës së cilësisë (standardizim, metrologji, akreditim dhe vlerësim të konformitetit), e cila paraqet një element kyç për funksionimin e tregut të brendshëm, rritjen e besueshmërisë së produkteve dhe lehtësimin e qasjes në tregjet ndërkombëtare. Po ashtu, dokumenti është në linjë me obligimet që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian, përkatësisht përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e akreditimit, në kuadër të kapitullit për lëvizjen e lirë të mallrave.

Miratuar vendimin për rialokimin e mjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit nënprogrami “Projektet e Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale” nga kategoria e shpenzimeve “Investimet kapitale”, konkretisht nga projekti kapital “Programi i Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale” në një projekt kapital të ri, në përputhje me Memorandumin e mirëkuptimit për projekte kapitale, të nënshkruara nga Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit dhe Kryetari i Komunës përkatëse.

Miratuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike në Kosovë 2026 – 2027.

Miratuar Programin Vjetor 2026 për Rezervat Shtetërore të Mallrave.

Miratuar Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë. Me këtë ligj përcaktohet korniza ligjore gjithëpërfshirëse e nevojshme për promovimin dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë në Republikën e Kosovës, duke i përcaktuar objektivat e politikave kombëtare, masat dhe caqet për efiçiencë të energjisë dhe duke i kontribuar kështu kursimit të energjisë, sigurisë së energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit dhe luftimit të varfërisë energjetike.

Miratuar kërkesën e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale Nr. Prot. 1899 e datës 1 tetor 2026 për konfirmimin e interesit të përgjithshëm Publik në ushtrimin e aktiviteteve përkatese nga Ndërmarrja Publike “Trepça” Sh. A”, thuhet në njoftim.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.