Nga refugjat lufte në Angli te ëndrra për Kosovën: Binjakët Hoxha synojnë futbollin profesionist

Historia e Tyler dhe Elis Hoxhës nis me një rrëfim familjar të lidhur me luftën në Kosovë dhe emigrimin drejt Anglisë. Sot, shumë vite më vonë, dy binjakët po ndërtojnë atje rrugëtimin e tyre në futboll, me synimin për të arritur në nivelin profesionist dhe për të përfaqësuar Kosovën, transmeton albinfo.ch.
Babai i tyre, Bislim Hoxha, u detyrua të largohej nga Kosova gjatë luftës, duke gjetur strehim në Angli si refugjat. Aty ndërtoi një jetë të re, ndërsa në këtë vend lindën edhe Tyler dhe Elis, të cilët tashmë po bëjnë hapat e parë të rëndësishëm në karrierën e tyre sportive.
Të dy janë qendërmbrojtës dhe me futboll kanë filluar të merren që në moshën gjashtëvjeçare. Rrugëtimin e nisën në akademinë e Oldham Athletic, ku qëndruan për dy vjet, për të vazhduar më pas për një sezon te Accrington Stanley.
Që nga viti 2024, binjakët janë pjesë e Fleetwood Town, klub ku kanë vazhduar zhvillimin e tyre dhe kanë fituar besimin e stafit. Edhe pse për shërbimet e tyre ka pasur interesim nga klube të tjera, Tyler dhe Elis kanë vendosur të vazhdojnë aventurën te Fleetwood Town, duke e vlerësuar këtë si mundësinë më të mirë për zhvillimin e tyre.
Puna dhe përkushtimi i tyre janë shpërblyer së fundmi me nënshkrimin e kontratave dyvjeçare të tipit “Scholarship” me klubin anglez.
Ky program përbën një fazë të rëndësishme në zhvillimin e futbollistëve të rinj në Angli. Ai u mundëson atyre të stërviten në kushte profesionale, të vazhdojnë shkollimin dhe të përgatiten për kalimin drejt kontratës së parë si futbollistë profesionistë.
Nga muaji korrik, Tyler dhe Elis pritet të angazhohen me orar të plotë në programin e klubit dhe të paguhen për angazhimin e tyre, duke iu përkushtuar edhe më shumë zhvillimit në futboll.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm vjen nga Tyler Hoxha, i cili tashmë ka marrë ftesën për Kombëtaren e Kosovës U17. Kjo ftesë shënon një hap të veçantë në rrugëtimin e tij dhe mund të jetë fillimi i një lidhjeje më të gjatë me fanellën e Kosovës.
Nga historia e emigrimit të familjes në kohë lufte, te akademitë e futbollit anglez, Tyler dhe Elis Hoxha po ndërtojnë një rrugëtim që ndërthur përkushtimin sportiv me lidhjen me vendin e origjinës.
Derisa të dy synojnë të avancojnë drejt futbollit profesionist, ftesa e Tylerit për Kosovën U17 i jep kësaj historie edhe një dimension të veçantë për futbollin dardan./Albinfo.ch
The post Nga refugjat lufte në Angli te ëndrra për Kosovën: Binjakët Hoxha synojnë futbollin profesionist appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



