6 vjet nga arrestimi i çlirimtarëve, OVL UÇK-ja me aksion para zyrës së BE-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së sot do të mbajë aksion para zyrës së Bashkimit Evropian.
Aksioni është njoftuar të fillojë në orën 12:00, raporton IndeksOnline.
Protesta u njoftua dje nga nënkryetari i OVL-së, Gazmend Syla.
“Nesër bëhen gjashtë vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së. Me këtë rast, do të organizojmë një aktivitet simbolik për të shprehur solidaritetin tonë me ish-krerët e UÇK-së. Aktiviteti do të mbahet nesër, në orën 12:00, para zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë”, tha ai.
“Kemi kërkuar nga Asociacioni i Komunave që kryetarët e komunave të dalin para objekteve të komunave për t’u solidarizuar me ne. Aktiviteti do të jetë paqësor dhe institucional. Përmes tij duam të tregojmë se nuk jemi indiferentë ndaj kësaj padrejtësie”, shtoi.
Syla, ka shprehur sërish zhgënjimin e tij pas kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar këtë zhvillim si të papranueshëm.
“Ka qenë e papranueshme. Është ndërtuar një kauzë që të votohet ai ligj dhe e gjithë ajo kauzë, me kthimin e tij, ra poshtë. Jemi shumë të zhgënjyer dhe po presim reflektimin edhe një herë të deputetëve. Jemi të bindur se çfarëdo ligji që vjen pas tij do të jetë më i dobët se ky që ka qenë, prandaj kjo çështje mbetet në përgjegjësinë e Kuvendit të Kosovës”, potencoi Syla.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



