RMV, sot është caktuar seanca e parë e Komisionit hetimor për rastin e onkologjisë

Komisioni hetimor i formuar për zbardhjen e së vërtetës për skandalin e onkologjisë i drejtuar nga deputetja Rashela Mizrahi do të mbajë sot seancën e parë, transmeton Portalb.mk. Të gjithë ministrat aktualë dhe ish-ministrat e shëndetësisë dhe drejtorët e onkologjisë pritet të dalin në sallën e Kuvendit gjatë procesit nga viti 2020 e deri më […]

RMV, sot është caktuar seanca e parë e Komisionit hetimor për rastin e onkologjisë
Kuvendi, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Komisioni hetimor i formuar për zbardhjen e së vërtetës për skandalin e onkologjisë i drejtuar nga deputetja Rashela Mizrahi do të mbajë sot seancën e parë, transmeton Portalb.mk.

Të gjithë ministrat aktualë dhe ish-ministrat e shëndetësisë dhe drejtorët e onkologjisë pritet të dalin në sallën e Kuvendit gjatë procesit nga viti 2020 e deri më tani.

Mizrahi ka bërë të ditur se synimi i saj kryesor është të arrijë deri te e vërteta e rastit dhe nëse rezultojnë se dyshimet janë të bazuara, ajo do të kërkojë përgjegjësi politike.

Sot duhet të dihet edhe se cili prej zyrtarëve do të jetë i pari që do të ulet para deputetëve.

Komisioni Hetimor ka mandat të përcaktojë kronologjinë e ngjarjeve në klinikë, por më e rëndësishmja nëse kërcënohen të drejtat elementare njerëzore të pacientëve.

Në të njëjtën kohë, prokuroria po përcakton nëse ka krim që përfshin rishitjen e barnave në kurriz të të sëmurëve të rëndë.

Kujtojmë se, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Ky rast nxiti reagime të shumta.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.